Libri më i ri i Preç Zogaj, risjell një rrëfim prekës për  brengën e nënës së tij, si një himn për gruan në veri. Proza e Zogajt i flet edhe aktualitetit përmes psikologjisë së turmave dhe të rinjve me mundësitë e humbura për shkak të komplekseve.

Tri novela, “Hedhja”, “Bija e vjetër e nënës së re” dhe “Kompleksi” risjellin Preç Zogajn para publikut në prozë. Me një qasje artistike, ai shpërfaq, historinë e trishtë dhe brengën e një gruaje që në moshën 80-vjeçare i rrëfen të birit pengjet e strukura larg në kohë e thellë në shpirt, si një mënyrë për t’u çliruar prej tyre e për të bërë paqe me veten.

“Bija e vjetër e nënës së re është një novelë që në të shumtën e saj tregon historinë e nënës sime”, tha Zogaj.

Pos asaj që merr shkas nga një rrëfim familjar për të dhënë fatet e grave në veri, mbase novela me domethënëse, është “Hedhja”, si një ndalesë te marrëzia e turmave dhe ndërgjegjësimi që vjen përmes dy personazhesh që i shpëtojnë infektimit nga shkëlqimi i rrejshëm e marrok.

“Psikologjia e grigjës që manipulohet nga pushteti del qartë të novela dhe arrin të hyjë në raportin e një çifti” vëren autori.

Për poetin Rudolf Marku, mik i hershëm i Zogajt, kjo novelë përbën shumë me tepër se faqet e saj.

“Novela e Preçit, është si alegori e trukut ndaj turmës. Ai merr një përshkrim real dhe 3 kthen në simbolikë gjë që është mjeshtëri me vete” tha Marku.

Tri novelat  e botuara nga UET PRESS kanë në qendër njeriun që përpiqet të ruajë ndërgjegjen në kohët e shtrëngimit dhe në atë të propagandës, me një regjistër të pasur gjuhe e me një botë që rreket të ngreje krye pavarësisht kushteve.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb