Përtej simbolikave të njohura, figura e Don Kishotit të Servantesit, në teatrin e Operas  është më shumë pretekst në baletin që merr titullin prej tij.

Linja e idealizmit prej ëndërrimtari ruhet si edhe figura e Sanco Pancos, por premiera ka në qendër dashurinë e të rinjve.

Vepra që qe vënë në skenë dikur nga Agron Aliaj, rikthehet pas 23 vitesh dhe Dion Gjinika është sërish në shfaqje.

“Është e jashtëzakonshme. Është emocion i madh dhe përgjegjësi duke qenë se unë kam i kam përjetuar para 23 vitesh në një vepër të vënë në skenë nga balet maestro Agron Aliaj.

Tani është një koreografi komplet tjetër  e sjellë nga maestro Picone, por e bazuar te origjinali. Është një vepër ndryshe me atë që unë kam bërë. Para 23 vitesh kam bërë toreadorin, ndërsa tani kam Basilion dhe Toredaorin”.

Kalorësi legjendar dhe mullinjtë e erës janë shtrati artistik i veprës, ndërsa një prej figurave kryesore, Kitri, vjen e interpretuar nga Ledia Sulaj.

“Për mua ka qenë një ëndërr që kur kam qenë e vogël. E shihja në ato kasetat VHS atëherë me të madhin Barishnikov, emocionet kanë nisur që ditën e parë në prova dhe ndjehej që ishte rol i vështirë, ndonjëherë mendoja ta lija por nuk më la Dioni. Emocionet një muaj e gjysmë kanë qenë si linja e zemrës dhe shpresoj që tani te jetë vetëm lart. Secili sjell më të mirën e tij, ndryshimin e vet dhe trupi i tyre përgjigjet me gjuhën e baletit”.

Me muzikë nga ludvig Minkus, koreografi nga Giuseppe Picone, nën dirigjimin e Jacopo Sipari, Kitri dhe Don Basilio, Don Kishoti e Sanço Panço, përplasjet mes familjes dhe të rinjve, dashuria dhe paraja vijnë përmes gjuhës së trupit nga trupa e TKOB.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb