Për herë të parë në Shqipëri, artdashësit që nuk shikojnë do të kenë përshkrim zanor të shfaqjeve.

Me moton “Muzika nuk njeh kufizime”, Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit do të mundësojë që artdashësit që kanë vështirësi në shikim të mund të shijojnë plotësisht shfaqjet e operës dhe baletit, me përshkrim zanor.

TKOB bëhet kështu i pari institucion i kulturës që ofron mundësi të barabarta për të gjithë spektatorët, pavarësisht kufizimeve fizike.

Për këtë arsye sot në ambientet e teatrit u nënshkrua memorandumi i bashkëpunimit mes Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit dhe United Nations Association Albania për të mundësuar 5 shfaqjet e para me përshkrim zanor.

E pranishme në nënshkrimin e këtij memorandumi, drejtoresha e Përgjithshme e TKOB Abigeila Voshtina u shpreh se trajnimet e stafit do të vijojnë më tej, për të shtuar gamën e shfaqeve me përshkrim zanor.

“Aktualisht që flasim është trajnuar stafi i TKOB-së, regjisorja dhe një punonjëse, por do të trajnohet edhe baletmaestri, dhe në kohë reale, gjatë kohës që performohet, u shpjegohet artdashësve që nuk shohin, çfarë po ndodh në skenë”, u shpreh Voshtina.

Shfaqja e parë në Shqipëri për artdashësit që nuk shikojnë e që do të mundësohet në bazë të këtij memorandum, është “Arrëthyesi”, duke u pasuar edhe me 4 shfaqje të tjera.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: