Kroacia do të punojë për të hapur negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian, teksa vendi mban presidencën e radhës së BE-së për 6 muajt e ardhshëm. Ky është premtimi i kryeministrit kroat Andrej Plenkovic.

“Do të bëjmë më të mirën e mundshme për të kapërcyer problemet dhe për të zhbllokuar procesin, gjë që nuk ndodhi në tetor 2019”, është shprehur kryeministri i Kroacisë Andrej Plenkovic.

Franca dhe Holanda penguan hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në tetor të vitit që lamë pas duke sjellë zhgënjim dhe shqetësim në Ballkanin Perëndimor teksa Rusia dhe Kina përpiqen të ndikojnë në këtë rajon, shkruan Radio Evropa e Lirë.

Kroacia, e cila u bë pjesë e BE-së në vitin 2013, është vendi i fundi që i është bashkuar bllokut. Qeveria kroate e ka listuar zgjerimin e BE-së si një ndër prioritetet kyçe gjatë kryesimit të saj të presidencës së Bashkimit Evropian.

“Konteksti i presidencës sonë është shumë specifik dhe kërkues”, ka shtuar më tej Plenkovic.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb