Zgjerimi i Bashkimit Europian është një ndër prioritetet e Presidencës suedeze të Bashkimit Europian. Ambasadorja Elsa Hastad thekson se procesi i integrimit kërkon shumë angazhim dhe do të marrë një kohë të gjatë.

Në intervistën për News24, ambasadorja vë theksin tek vijimi i zbatimit të reformës në sistemin e drejtësisë në Shqipëri. Pak muaj para zgjedhjeve lokale të 14 Majit, Ambasadorja e Suedisë bën thirrje për pjesëmarrje dhe apel që vota të mos shitet apo blihet.

Zonja ambasadore Suedia mban presidencën e Bashkimit Europian. A mund të na thoni diçka më specifike mbi prioritetet e presidencës suedeze?
Presidenca suedeze ka 4 prioritete. Të parat dhe më të rëndësishmet janë siguria dhe uniteti. Siguria për shkak se ne kemi një luftë në Europë, sepse pas pushtimit rus në Ukrainë siguria për ne është më e rëndësishmja. Ne qëndrojmë në krah dhe mbështesim Ukrainën financiarisht, moralisht dhe me gjithçka mundemi. Uniteti në BE ka të bëjë kur ne vendosim sanksione kundër Rusisë. Dhe sigurisht aplikimi ynë si Suedi për anëtarësim në NATO është pjesë e kësaj. Prioritet tjetër është konkurrueshmëria, sepse Suedia mendon se duhet të kemi biznese të forta në Europë. Ne duhet të konkurrojmë me botën, ne nuk duam të humbasim në tregun e madh.

Europa është tregu i brendshëm më i madh dhe ne duam të qëndrojmë të fortë dhe të gjelbër. E kësisoj prioriteti tretë ka të bëjë me tranzicionin e gjelbër dhe për këtë ne duam që të ndodhë sa më shpejt dhe duam të kalojmë në energjinë e gjelbër siç e keni ju në Shqipëri. Prioriteti i katërt, ndoshta më i rëndësishmi është demokracia. Bashikimi Europian bazohet në vlera, tek demokracia, modiskriminimi dhe të drejtat e njeriut. Në Shqipëria po punojmë mbi të katër prioritetet.

Si e vlerësoi procesin e integrimit europian të Shqipërisë? Ne kemi hapur negociatat për anëtarësim korrikun e vitit të kaluar dhe përpara kemi një udhë të gjatë.
Ke të drejtë, është një rrugë e gjatë përpara. Për ne nisja e negociatave përbën një moment shumë të rëndësishëm dhe gur i rëndësishëm themeli në proces që do marrë një kohë të gjatë. Për Suedinë mori një kohë të gjatë. Prandaj ne e dimë, që kërkon shumë punë dhe shumë-shumë vite. Por tani që Shqipëria ka hapur negociatat puna e vërtetë do të nisë.

Suedia e ka përgatitur Shqipërinë për 20 vite për këtë proces dhe suksesi juaj është suksesi ynë, sepse ne e kemi pritur që kjo të ndodhë. Unë shoh tani, kur takohem dhe përfaqësues agjencish, zyrtarë të qeverisë se shumë punë mbart energji pozitive. Shohim agjencitë që rekrutojnë më shumë njerëz, vendosin më tepër burime në agjencitë qeveritare, sepse ju duhet ta bëni këtë, sepse puna për anëtarësim është vërtetë e vështirë.

Çfarë mund të bëjë Suedia përgjatë këtyre muajve të Presidencës së Bashkimit Europian për të ndihmuar Shqipërinë në këtë proces?
Ne e kemi ndihmuar Shqipërinë gjatë 20 viteve, sepse prioriteti ynë është zgjerimi. Ne e kemi mbështetur të gjithë Ballkanin Perëndimor. Ne kemi vënë në dispozicion 500 milionë euro për një periudhë 7-vjeçare vetëm në përgatitjen e anëtarësimit në BE. Suedia do të bëjë punën e vështirë së bashku me ju. Ne po punojmë me agjencitë dhe qeveritë mbi mjedisin. Ne e kemi përgatitur Shqipërinë për hapjen e Kapitullit 27 që ka të bëjë me mjedisin dhe ndryshimet klimatike. Ne kontribuojmë me ekspertet tanë. Ne punojmë shumë në rang rajonal me median, gazetarinë investiguese, lirinë e shprehjes që është shumë e rëndësishme që tu bërë anëtar i BE-së. Po ashtu mbështesim edhe shoqërinë civile që është pjesë shumë e rëndësishme. Pra mbështetja jonë është politike, gjë të cilën Suedia do e bëjë gjatë Presidencës së saj, por edhe me financimet e projekteve përmes mbështetjes konkrete.

Një ndër kapitujt më të rëndësishëm është drejtësia, zbatimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Sipas jush, çfarë Shqipëria mund të bëjë më tepër dhe më mirë?
Më lejoni të them disa gjëra mbi zbatimin e ligjit. Së pari, nëse shohim progresin e reformës në drejtësi, Shqipëria ka bërë mjaft mirë nëse e krahasojmë edhe me raportet e progresit të BE-së. Në reformën në drejtësi shumë gjëra janë bërë. Është një reformë shumë ambicioze. Procesi i vetting-ut, agjencitë e reja, ngritja e SPAK-ut, janë bërë. Por unë mendoj që në sytë e publikut, shqiptarëve të zakonshëm, perceptimi është se jo shumë gjëra kanë ndodhur. Mendoj se është shumë e rëndësishme që qytetarët e zakonshëm të kenë akses në sistemin e drejtësisë.

Ka shumë stoqe çështjesh të krijuara ndër vite. Nëse ke një çështje gjyqësore duhet të presësh për vite e vite. Mendoj se nuk është e mjaftueshme të bësh reforma, që janë shumë të rëndësishme, por duhet të krijohet besim tek qytetarët. Ne e kemi mbështetur reformën në drejtësi! Një gjë konkrete, tani ne po mbështesim digjitalizimin e administrimit të çështjeve gjyqësore për të punuar kundër korrupsionit. Kjo për arsye se nëse keni letra, ato mund të lëvizin, por nëse është e digjitalizuar është shumë më e lehtë të qëndrojnë dhe të evitohet korrupsioni. Ky do të jetë kontributi ynë tani. Ka punë përpara, por duhet thënë se shumë është bërë.

Në 14 Maj në Shqipëri do të zhvillohen zgjedhjet lokale. Zgjedhjet në Shqipëri prodhojnë debat të madh mes partive politike. Si i shikoni këto zgjedhje dhe mendoni se mund të impaktojnë procesin e integrimit? A do ketë Suedia vëzhgues në këtë proces?
Zgjedhjet qëndrojnë në zemër të demokracisë dhe të gjithë po vëzhgojnë Shqipërinë tani. Europa po vëzhgon, Suedia po vëzhgon, sepse progresi juaj është progresi ynë. Zgjedhjet janë ekstremisht të rëndësishme. Mesazhi im është: Votoni! Mos e shisni votën, mos e blini votën mos e shpërdoroni! Përdoreni! Shumë njerëz kanë luftuar për të pasur të drejtën e votës.

Në Suedi vetëm 100 vite më parë gratë fituan të drejtën e votës. Nëse e keni këtë të drejtë mos e shpërdoroni, mos e shisni! Kam monitoruar disa zgjedhje në Shqipëri dhe mendoj se më e rëndësishme është që qytetarët të votojnë. Unë do të jem pjesë e vëzhguesve të Bashkimit Europian. Suedia nuk do të sjellë një ekip vëzhguesish. Por sigurisht ne po e ndjekim procesin. Zgjedhjet lokale janë shumë të rëndësishme, sepse vendime të rëndësishme merren në nivel lokal. Në demokraci duhet një opozitë aktive, një parti në qeverisje, që të punojnë së bashku, që gjërat të ndryshojnë. Mezi i pres këto zgjedhje dhe po ashtu të ketë angazhim nga të rinjtë.

Zonja Ambasadore, politika shqiptare është shumë dinamike. Cili është mendimi juaj për të dhe a keni diçka për të qortuar apo e konsideroni normal debatin, sidomos gjatë seancave parlamentare?
Do të thosha se debati absolutisht është pjesë e demokracisë, sepse të kesh një debat të hapur është e rëndësishme. Të kesh një opozitë funksionale është gjithashtu e rëndësishme. Të kesh një opozitë që të bëjë punën e saj, të ngre pyetje mbi politika, të flasë në emër të votuesve të saj, është shumë-shumë e rëndësishme. E po ashtu rëndësi ka që partia në qeveri të sfidohet. Mendoj se demokracia ka të bëjë me pasjen e opozitës të funksionojë dhe debati është pjesë e politikës.

Ka teza sipas të cilave procesi i integrimit europian i vendeve të Ballkanit Perëndimor mund ose duhet të përshpejtohet për shkak të “armikut tek porta”. E kam fjalën për pushimin rus të Ukrainës. A jeni dakord?
Mendoj se lufta në Ukrainë, pushtimit rus, ka krijuar ndjesinë e urgjencës përreth Europës, përreth Europës Lindore, por gjithashtu nisur nga disa energji për procesin e zgjerimit, të Ballkanit Perëndimor. Unë mund ta shoh dhe mund ta ndjejë. Kemi aplikimin për kandidim të Kosovës, Bosnje Hercegovina mori statusin e vendit kandidat, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut që kanë nisur negociatat për anëtarësim. Mendoj se mund të kemi progres në këtë proces. Kjo është e mirë! Suedia e mbështet! Shumë vende e mbështesin. Mendoj se mund t’i jepet energji të reja procesit.

Suedia ka aplikuar, siç e përmendët pak më parë për anëtarësim në NATO. Është interesante sepse Suedia ka nevojë për mbështetjen e Shqipërisë për anëtarësim në NATO dhe nga ana tjetër Shqipëria ka nevojë për përkrahjen e Suedisë për integrim në BE. Në këtë situatë, a do të shohim ndoshta në të një ardhme të afërt, një vizitë zyrtare të kryeministrit suedez në Tiranë për këto çështje?
Shqipëria na ka ndihmuar tashmë, sepse ishte ndër vendet e para që i tha “Po” aplikimit tonë dhe ne jemi shumë të lumtur. Faleminderit! Ndërkohë ne jemi të lumtur të ndihmojmë Shqipërinë të bëhet anëtare e Bashkimit Europian, sepse është në interesin tonë t’ju ndihmojmë. Pyetja juaj tregon se ne kemi nevojë për njëri-tjetrin në Europë dhe në botë. Nëse ne duam të kemi një botë ku të punojmë bashkë, të mbështesim njerëzit, zhvillimin ekonomik, kemi nevojë për njëri-tjetrin. Nuk duhet të mendojmë vetëm për vendin tonë.

Multilateralizmi si NATO, Bashkimi Europian dhe Kombet e Bashkuara për ne kanë të bëjnë me faktin se kemi nevojë për vendet e tjera. Ne jemi të luftuar t’ju ndihmojmë dhe ju na ndihmuat ne. Tani kemi mundësi të flasim për politika dhe bashkëpunim në fushën e sigurisë në një mënyrë që nuk e kemi bërë më parë. Do donim që kryeministri ynë të kthej përsëri, pasi ai ishte këtë në Tiranë më 6 dhjetor.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb