“Për momentin po mbledhim të ardhura për të blerë lojtarë të mëdhenj vitin e ardhshëm,”-kështu e nis intervistën e tij presidenti i Bayern Mynchen, Uli Hoeness, në programin “Wontorra — der Fußball-Talk” në “Sky Sport”.

Numri 1 i bavarezëve më pas shtoi se blerjet e mëdha nuk supozohet se do të bëhen duke shitur ‘yjet’ aktuale. “Mund të merrnim oferta prej 150 milionë eurosh për Lewandowskin, por në fund vendosëm që të mos largohej. Nuk kemi asnjë qendërsulmues tjetër përveç Wagner dhe mbi të gjitha nuk gjenim ndonjë që mund të shënonte mbi 30 gola në një sezon. Duam gjithashtu që të investojmë tek akademia jonë, gjë që e kemi nisur së fundmi. Lojtarët e moshave do të kenë mundësinë të provojnë shansin e tyre dhe në skuadrën e parë duke u stërvitur gjatë sezonit.”

Çështja e zgjedhjes së trajnerit pas largimit të Heynckes nuk ka qenë e lehtë për presidentin: “Jemi të lumtur që kemi zgjedhur Niko Kovac, i cili mund t’iu flasë si i barabartë lojtarëve, pasi në të kaluarën ka qenë vetë një i tillë. Sigurisht, Heynckes ishte zgjedhja jonë e parë, por ai e kishte ndarë mendjen për t’u larguar nga Bayerni dhe ne nuk donim të këmbëngulnim pa pushim. Më pas i telefonuam Tuchel-it, por ai ishte i vendosur të shkonte në Paris. Kështu që u fokusuam te Kovac. Kurse Nagelsman nuk ishte një alternativë as për vitin 2019.”

Për “Robbery”

“Robben dhe Ribery? Të dy duhet të kuptojnë që nuk mund të luajnë më çdo ndeshje, kjo temë ka qenë pjesë e bisedimeve gjatë rinovimit të kontratës në muajin prill.

Lojtarët e dinë këtë gjë dhe besoj se nuk do të kemi asnjë problem gjatë sezonit. Forma e tyre gjatë përgatitjeve ka qenë shumë e mirë kjo u pa edhe në turneun e Amerikës. Ata kanë qenë dhe do të jenë një pjesë e rëndësishme e skuadrës së Bayernit”.

Largimet e mundshme të Sebastian Rudy dhe Jerome Boateng

“Nuk mund ta mohoj një largim të mundshëm nga Bajerni për Rudin, por pa dyshim që shuma prej 15 milionë eurosh e ofruar nuk do mjaftojë për mesfushorin. Ndërsa Zherom Boateng foli me Karl-Hainc Rumenigen dhe tha se donte një ndryshim. Për të vlen e njëjta gjë si me Rudin, nëse Parisi paguan shumën që kemi kërkuar për të, atëherë ai mund të largohet i qetë, por unë do isha i lumtur dhe nëse të dy qëndrojnë.

Ata janë lojtarë shumë cilësorë dhe trajneri shpreson të vazhdojë me ta”, përfundoi Hoeness.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb