Presidenti i zgjedhur i Kilit, José Antonio Kast, vizitoi të premten burgun gjigant të sigurisë maksimale CECOT (Qendra për Përmbajtjen e Terrorizmit) në El Salvador, duke deklaruar se synon të “studiojë” modelin e sigurisë të zbatuar nga presidenti salvadorian Nayib Bukele.

Vizitat në CECOT janë kthyer në pjesë të protokollit të Presidentit Bukele për mysafirët zyrtarë, pasi burgu, i ndërtuar në vitin 2023, është shndërruar në simbol të fushatës së tij kundër bandave kriminale.

Bukele vlerësohet për uljen drastike të nivelit të dhunës në El Salvador. Megjithatë, politikat e tij janë kritikuar ashpër nga organizatat për të drejtat e njeriut, të cilat raportojnë arrestime arbitrare, keqtrajtime, tortura dhe qindra vdekje në burgje. “Është një sistem penal i ndryshëm nga i yni. Duam ta studiojmë dhe ta kuptojmë, jo domosdoshmërisht ta zbatojmë në të njëjtën formë në vendin tonë”, deklaroi Kast.

Gjatë vizitës, presidenti i zgjedhur kilian pa nga afër qelitë dhe një sektor ku të burgosurit, me koka të rruara dhe veshje uniforme, e përshëndetën në mënyrë të sinkronizuar. Rojet u kërkuan disa prej tyre të ngrinin bluzat për të treguar tatuazhet, shenjë e përkatësisë në bandat Barrio 18 dhe Mara Salvatrucha, të cilat Shtetet e Bashkuara i konsiderojnë organizata terroriste.

Presidenti Bukele shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në mars të vitit 2022, e cila është zgjatur vazhdimisht, duke lejuar arrestime pa urdhër gjykate dhe vendosjen e ushtrisë në rrugë dhe burgje. Sipas shifrave zyrtare, rreth 91 mijë persona janë arrestuar në katër vitet e fundit, ndërsa 8 mijë prej tyre janë liruar pasi janë shpallur të pafajshëm. Ndërkohë, organizata Socorro Jurídico Humanitario raporton se të paktën 470 persona kanë vdekur në burgje që nga vendosja e gjendjes së jashtëzakonshme.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb