Me anë të një ceremonie të veçantë, Presidenti i Republikës, Ilir Meta çmoi me Titullin “Mjeshtër i Madh” disa volejbollistë dhe volejbolliste të spikatura:

Zonjën Eva Kavaja: “Me mirënjohje për kontributin e dalluar shumëvjeçar si sportiste dhe trajnere e ekipit të volejbollit ‘Dinamo’ si dhe Ekipit tonë Kombëtar, duke arritur rezultate të larta në veprimtaritë kombëtare dhe ndërkombëtare.”;

Zonjën Theodhora Koço (Qoshja): “Në shenjë vlerësimi dhe mirënjohjeje për kontributin e shquar shumëvjeçar si volejbolliste e ekipeve ‘Skënderbeu’, ‘Lokomotiva’, ‘Partizani’ dhe Ekipit tonë Kombëtar, duke arritur rezultate të larta në veprimtaritë kombëtare dhe ndërkombëtare.”;

Zotin Ylli Shehi: “Në shenjë vlerësimi për kontributin e shkëlqyer si volejbollist i ekipit ‘Dinamo’ dhe Ekipit tonë Kombëtar. Me mirënjohje kapitenit të skuadrës ‘Dinamo’, sulmuesit të spikatur dhe bllokuesit të pakalueshëm, korrektësia e të cilit në punë dhe respekti për kolektivin, e bënë atë një lojtar dhe trajner të shquar në karrierën e tij.”;

Zotin Anastas Panteqi: “Në shenjë vlerësimi për kontributin e madh dhe talentin e jashtëzakonshëm si volejbollist i skuadrës ‘Dinamo’ dhe Ekipit tonë Kombëtar. Me mirënjohje organizatorit me cilësi të jashtëzakonshme, mbrojtësit të shkëlqyer dhe virtuoz në lojën e tij që u shndërrua në një nga legjendat e volejbollit shqiptar.”;

si dhe zotin Hasan Gurabardhi: “Në shenjë vlerësimi për rezultatet e larta në sportin e volejbollit si organizator i ekipit ‘Erzeni’ të Shijakut, duke u shpallur kampion për disa vite me radhë. Me mirënjohje trajnerit kampion në volejbollin e femrave, me skuadra si ‘Tirana’, ‘Mirdita’, ‘Marin Barleti’ dhe i Ekipit tonë Kombëtar, duke u dalluar për përkushtimin, pasionin dhe rezultatet e tij në veprimtaritë kombëtare dhe ndërkombëtare.”;

Në fjalën e tij drejtuar ish-sportistëve, familjarëve dhe kolegëve të tyre, Presidenti Meta u shpreh se këta volejbollistë janë brim frymëzimi për brezat e sportistëve të rinj.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Mesazhi i Presidentit Meta
Volejbolli është një nga sportet që na ka bërë të ndihemi krenarë me rezultatet e tij, prandaj me kënaqësi të veçantë, dua të vlerësoj karrierën sportive dhe rezultatet e larta, të disa prej ish-sportisteve dhe trajnerëve të shquar të këtij sporti.

Arritjet kombëtare dhe ndërkombëtare të volejbollit shqiptar me anë të ekipeve ‘Dinamo’ femra dhe meshkuj, si dhe ekipeve të tjera, që kanë qenë kurora e sportistëve të Ekipeve tona Kombëtare, janë përvoja të suksesshme historike, që na motivojnë.

Vlerësojmë me Titullin ‘Mjeshtër i Madh’, ish-volejbollistet Eva Kavaja dhe Dhorka Koço, titullare në volejbollin e femrave, si dhe ish-volejbollistët dhe trajnerët e njohur në volejbollin e meshkujve si, Ylli Shehu, Anastas Panteqi dhe Hasan Gurabardhi.

Zonja Eva Kavaja është ndër të parat ‘Mjeshtre Sporti’ për ‘Dinamon’. Ajo erdhi në volejboll nga atletika si atlete në kërcimin së larti, stafetë 4x100m dhe 80m me pengesa.

Si volejbolliste është shpallur 8 herë kampione dhe ka fituar 4 kupa të Republikës;
Znj.Kavaja është fituese e anketës 10 sportistët më të mirë të vitit 1973 dhe në vitin 1979 ka qenë fituese e Spartakiadës Kombëtare.
Ajo ka qenë lojtare e Ekipit Kombëtar dhe ka marrë pjesë në shumë kompeticione ndërkombëtare, si lojtare kryesore e formacionit.

Pas përfundimit të karrierës si lojtare ajo vazhdoi punën e saj plot pasion si trajnere e skuadrës së të rejave ‘Dinamo’, si dhe për shumë vite punoi si zëvendëstrajnere, krahas trajnerit Kreshnik Tartari, në shumë suksese të mëdha të ekipit ‘Dinamo’ në volejboll për femra.

Njëkohësisht Eva Kavaja ka qenë trajnere e Ekipit Kombëtar për të reja dhe ka përfaqësuar Shqipërinë me dinjitet në shumë aktivitete ndërkombëtare.
Një tjetër volejbolliste ikonë është zonja Dhorka Koço një prej sulmuesve kryesore të ekipeve ‘Skënderbeu’, ‘Partizani’, ‘Lokomotiva’ dhe Ekipit tonë Kombëtar.
Dhorka Koço ka qenë kapitene e skuadrës ‘Skënderbeu’ të Korçës dhe sulmuesja kryesore e këtij ekipi. Fituese e disa kupave dhe kampionateve kombëtare.

Ajo ka luajtur dhe me skuadrën e ‘Partizanit’ në ndeshjet ndërkombëtare si, në Bullgari, Poloni, Kinë, ku ka dhënë një kontribut të madh në rezultatet e skuadrës.
Në vitin 1977 si lojtare dhe kapitene e skuadrës ‘Lokomotiva’ të Durrësit, mundëson daljen e kësaj skuadre nga kategoria II në kategorinë I.
Dhorka Koço ka qenë lojtare kryesore e Ekipit Kombëtar shqiptar, si një nga sulmueset potente të volejbollit shqiptar.

Në vitin 1996 shpallet nga anketa kombëtare e gazetës ‘Sporti’ si volejbolliste ndër ‘më të mirat e shekullit’ dhe në vitin 1998 shpallet ‘Sportistja më e mirë e 50-vjeçarit’, nga shoqata e Durrësit.

Dinamoja në volejboll për meshkuj ka qenë gjithnjë krenare, që në gjirin e saj ka pasur një lojtar si Ylli Shehu.
Z.Ylli Shehu ka qenë një ndër volejbollistët model të ekipit të meshkujve të volejbollit ‘Dinamo’, një nga lojtarët sulmues dhe bllokues më të dalluar të këtij ekipi, qysh në fitoren e parë të titullit Kampion i Shqipërisë, në vitin 1964.
Ai ka luajtur me shumë sukses dhe ka qenë protagonist në fitoret e shumta të ekipit ‘Dinamo’, krahas lojtarëve si Asllan Rusi, Kreshnik Tartari, Anastas Panteqi, Zhan Bonati, Franc Jakova, të drejtuar me pasion dhe mjeshtëri nga trajneri ‘Nderi i Kombit’ Vangjel Koja.

Ylli Shehu si lojtar me ekipin ‘Dinamo’ dhe si kapiten i saj, ka fituar 7 tituj Kampion, nga viti 1964-1971.

Ylli Shehu ka qenë një nga lojtarët protagonistë të sukseseve të ekipit ‘Dinamo’ në ndeshjet ndërkombëtare për kupat e Evropës.

Zoti Shehu ka punuar si trajner me ekipin e të rinjve ‘Dinamo’ duke fituar tituj kampionë dhe ka përgatitur shumë lojtarë të nivelit të lartë cilësor, që kontribuuan me lojën dhe aftësitë e tyre, jo vetëm për ekipin ‘Dinamo’, por dhe si lojtarë të ekipeve kombëtare.

Anastas Panteqi ka qenë një ndër volejbollistët e talentuar të ekipit të meshkujve të volejbollit ‘Dinamo’. Ai ka qenë organizator dhe një mbrojtës ekselent në lojën e tij. Është lojtar i ekipi ‘Dinamo’ qysh në sukseset e para të tij.

Zoti Panteqi ka qenë një nga lojtarët protagonistë të sukseseve të ekipit ‘Dinamo’ në ndeshjet ndërkombëtare për kupat e Evropës, si me Virtus (Bolonjë), Bloker (Hollandë), Partizani (Beogradit), CSKA (Sofje), AMV (Hollandë), Pananthinaikos (Greqi), Mladost (Zagreb), Zetor (Çekosllovaki), si dhe në shumë ndeshje me Ekipin Kombëtar.

Ai ka punuar si trajner me ekipin e të rinjve ‘Dinamo’ duke fituar tituj kampionë dhe ka përgatitur shumë lojtarë të nivelit të lartë cilësor.

Gjithashtu ai ka qenë trajner i suksesshëm me ekipin ‘Partizani’ për femra.

Cilësitë e tij të jashtëzakonshme, si një mbrojtës i shkëlqyer dhe virtuoz, e shndërruan atë, në një nga legjendat e volejbollit shqiptar.

Hasan Gurabardhi ish-volejbollist dhe trajner i suksesshëm ka filluar karrierën e tij si volejbollist me ekipin ‘Erzeni’ të Shijakut. Si sportist karrierën e tij e ka vazhduar edhe me ekipe të tjera si, ‘Partizani’ dhe ‘Lokomotiva’ deri në vitin 2002.

Gurabardhi si lojtar me ekipin e Erzenit të Shijakut është shpallur për disa vite Kampion i Shqipërisë.

Më pas ai ka ushtruar profesionin e trajnerit, kryesisht me ekipet e femrave të rritura, si me ekipet ‘Minatori’, ‘Teuta’, ‘Partizani’, ‘Tirana’ dhe me ekipin e universitetit ‘Marin Barleti’, duke fituar me to shumë trofe, kupa dhe tituj kampionë.

Si trajner i ekipit të universitetit ‘Marin Barleti’ ai ka arritur rezultate të larta sportive, duke fituar 20 kupa të FSHV, 4 tituj Kampionë dhe 4 kupa të Republikës.

Në vitet 2008 deri 2016 ka qenë trajner i Ekipit Kombëtar për femra të rritura dhe ka përfaqësuar Shqipërinë në shumë veprimtari ndërkombëtare.

Për rezultatet e arritura është nderuar me titullin ‘Qytetar Nderi’ i Shijakut, mban titullin ‘Mjeshtër Sporti’ dhe është fitues i anketës ‘10 sportistët më të mirë’ të rrethit të Durrësit.

Angazhimi i juaj në përgatitjen dhe edukimin e të rinjve dhe të rejave volejbolliste, kujtohet sot me respekt, mirënjohje dhe dashuri të veçantë nga i gjithë komuniteti i volejbollit dhe sporti shqiptar.

Përfitoj nga rasti, për të përshëndetur familjet tuaja të nderuara, si dhe miqtë, trajnerët e kolegët tuaj, të cilët janë krenarë, për punën, pasionin, sakrificat dhe rezultatet e arritura, të cilat kanë ngritur lart vlerat e sportit tonë, në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare.

Këto janë momente që na bashkojnë të gjithëve, në promovimin e vlerave sportive dhe një burim frymëzimi për të gjithë të rinjtë dhe të rejat, që praktikojnë sportin e bukur të volejbollit.

Vlerësimi me Titullin ‘Mjeshtër i Madh’ për këto figura të shquara të volejbollit është në vetvete një ngjarje e rëndësishme, jo vetëm për kujtesën e sportdashësve të volejbollit, por dhe të mbarë opinionit sportiv në vendin tonë.
Ju uroj të gjithëve shëndet e mbarësi në familjet tuaja!.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb