TIRANE- Presidenti Bujar Nishani ka dekretuar sot ligjin për dekriminalizimin, të miratuar në seancën e kaluar plenare në Kuvendin e Shqipërisë.

Gjatë ditës së sotme, Kreu i Shtetit ka dekretuar edhe ndryshimet në Kushtetutë, si dhe ndryshimet në Kodin e Punës dhe në Kodin e Familjes.

Presidenti Nishani dekretoi ndërkaq edhe ndryshimet në procedurat për Birësimin.

Ligji për dekriminalizin parashikon disa kategori të zyrtarëve që nuk mund të zgjidhen në poste të larta ose që duhet të lënë mandatet në rast se kanë kryer një shkelje në të kaluarën.

Me hyrjen në fuqi të këtij ligji “Funksionarët e organeve të parashikuara në Kushtetutë dhe subjektet e ligjit të posacëm që rregullon garantimin e integritetit të personave, që janë në detyrë në momentin e hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë të detyruar të përmbushin detyrimet e përcaktuara në atë ligj, brenda 3 muajve nga hyja në fuqi e tij”.

Një nga nenet e paketës ligjore që përfshin ndryshimin e nenit 179 të Kushtetutës përcakton se deri në 3 muaj nga hyrja në fuqi e ligjit, titullarit të institucionit publik dhe vetë personave që preken nga ligji u lihet kohë që të verifikojnë pastërtinë e tyre.
Në bazë të këtyre amendamenteve dhe pikërisht shtesës që i është bërë nenit 179, thuhet se: “Mandati i funksionarëve të zgjedhur ose të emëruar në organet kushtetuese dhe ato të krijuara me ligj, që është fituar përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji, mbaron ose është i pavlefshëm kur konstatohet se i zgjedhuri ose i emëruari përfshihet në rrethin e subjekteve që janë të përjashtuara nga e drejta për t’u zgjedhur, sipas neneve 6/1 dhe 45, pika 3, të Kushtetutës”. Amendamentet detyrojnë gjithashtu titullarët e institucioneve ku konstatohet se ndodhen individë me të kaluar kriminale, që brenda 5 ditëve të shpallin të pavlefshëm mandatin ose të nxjerrin aktin e shkarkimit të tyre.

“Funksionarët publikë që janë emëruar në detyrë përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji dhe që ushtrojnë funksionin e tyre me ose pa mandat, shkarkohen menjëherë nga detyra nëse konstatohet se përfshihen në rrethin e subjekteve që janë të përjashtuara sipas ligjit të posaçëm nga e drejta për t’u zgjedhur, emëruar apo për të mbajtur një funksion publik. Organi përgjegjës është i detyruar të nxjerrë aktin e shkarkimit nga detyra brenda 5 ditëve nga përfundimi i rezultateve të verifikimit”, thuhet në amendamentet e ndryshuara.

(el.sp/d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: