TIRANË- Në një pritje festive në ambientet e Pallatit të Brigadave, Presidenti Bujar Nishani vlerësoi figurat e shquara të Tiranës.
“Vendosa që të nis një traditë, të shprehje një falënderim për qytetarët shqiptarë. Për të parët tanë dhe ata që vazhdojnë të kontribuojnë me mish e shpirt për progresin e mëtejshëm. Nuk kishte sesi të mos ndodhte ndryshe duke e nisur me Tiranën”, tha Nishani.
Më tej, Nishani duke iu referuar së shkuarës renditi disa nga arsyet pse Tirana u zgjodh si kryeqyteti i vendit.
“Ata që e shpallën kryeqytet të Shqipërisë, Tiranën, mund ta kishin bërë kudo tjetër. Mund ta kishin bërë në Elbasan që është kërthiza e Shqipërisë apo në Vlorë në qeverinë e parë, apo Krujën e lavdishme të Skënderbeut apo në Durrësin e lashtë. Zgjodhën Tiranën. Besoj se kryesore ishte fakti se në intuitën e tyre, ata e dinin se në çdo kënd që ta shohësh pozicionin gjeografik, cilësitë, njerëzit, Tirana për Shqipërinë është vendi më i përshtatshëm si kryeqendër’, tha Nishani.
Ai renditi disa nga cilësitë e tiranasve dhe e cilësoi kryeqytetin, si vend me paqe dhe tolerancë fetare.
“Një shpirt tolerant e pranues. Tirana dhe tiranasit, prej shekujsh ruajnë cilësitë njerëzore si urtësia, natyrshmëria dhe dashuria. Tirana është një vend me paqe, vend i tolerancës”, përfundoi Presidenti i vendit.
(m.k/BakanWeb)
