MIRDITË- Presidenti i Republikës, Bujar Nishani vlerësoi gjatë një ceremonie të zhvilluar sot në Rrëshen, Imzot Prend Doçin, Abatin e Mirditës (Pas vdekjes) me Dekoratën “Nderi i Kombit” me motivacionin “Në shenjë vlerësimi dhe nderimi shtetëror për veprimtarinë e tij të shquar e të patjetërsueshme patriotike, fetare dhe politike në shërbim të misionit kombëtar dhe përhapjes së dijes e kulturës”.
Dekorata iu dorëzua Ipeshkvit Kristoforo Palmieri të Dioqezës së Rrëshenit në prani të Imzot Rrok Mirditës, Imzot Masafrës, Vikarit të përgjithshëm të Dioqezës, Don Xhanfranko Kadeneli, kryetarit të Bashkisë së qytetit, Ndue Gega, përfaqësuesve të pushtetit qendror dhe vendor, deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, autoriteteve të besimit fetar etj.
“Abati i Mirditës meriton mirënjohjen dhe respektin e mbarë popullit shqiptar për kontributet e pamasa të tij, për punën prej titani që ai bëri në rimëkëmbjen e Abacisë së Mirditës, duke e “dlirë dioqezën prej vesit”, një punë që rrallëkush në Evropën e asaj kohe do të mund ta bënte. Para veprës së tij misionare ishte gjithnjë e vëmendshme Selia e Shenjtë, para figurës së tij përkulej çdo personalitet i kohës!”, tha Kreu i Shtetit në fjalën e tij.
Vizita e Presidentit Nishani në Rrëshen nisi me një takim të shkurtër me mësues dhe nxënës në laboratorin e elektroteknikës të Shkollës së mesme profesionale “Shën Jozefi Punëtor” të qytetit.
Një mikpritje siç e do zakoni me bukë, kripë e zemër ishte rezervuar për Kreun e Shtetit në hollin e shkollës ku ishte hapur edhe një ekspozitë, për të vijuar më pas me ceremoninë e dekorimit dhe në fund të saj, një koncert muzikor nga grupi i fëmijëve valltarë të zonës. Presidenti Nishani zhvilloi edhe një vizitë në Katedralen e qytetit, gjatë së cilës iu dhurua nga Ipeshkvi Palmieri një ikonë dhe një libër rreth historisë së saj.
(m.k/BalkanWeb)
