TIRANE- Ministria e Brendshme ka prezantuar sot aplikacionin më të ri në shërbim të qytetarëve “Komisariati Dixhital”. Pasi folën ministrja Harito e Tahiri fjalën e mori kreu i qeverisë Rama, por gjithçka u ndërpre në mes, pasi në sallë e Muzeut Historik u ndërpre energjia elektrike.
TAHIRI: FILOZOFIA JONE, POLICIA NE SHERBIM TE QYTETAREVE
Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, në fjalën e tij theksoi rëndësinë e rritjes së besimit të qytetarëve tek Policia e Shtetit, si dhe nga ana tjetër u shpreh se duhet të respektohen uniforma e policisë.
“Filozofia jonë është policia në shërbim të qytetarëve. Dhe kjo padyshim nuk është punë e lehtë. Ka pasur mungesë të respektit nga shteti apo qytetari për punonjësin e policisë. Ne jemi përpjekur të gjejmë ekuilibrin e artë, krijimin e besimit të qytetarëve tek policia e shtetit, dhe respektimin e uniformave blu”, tha ministri Tahiri.
Duke folur për aplikacionin që i jep mundësi çdo qytetari të denoncojë duke ruajtur anonimatin, Tahiri shtoi, “Ne menduam ta sjellim policin dixhital, policinë dixhitale më pranë qytetarit. Filozofia jonë është policia në funksion të qytetarit. Aplikacioni për policinë dixhitale është epokë tërësisht tjetër drejt gjeneratës së re, jo vetëm aplikacion për sistem i ri”,- tha ai.
Sipas Tahirit denoncimi mund të bëhet edhe me anë të telefonit. “Puna jonë sapo ka filluar, të ndërtonim këtë aplikacion na është dashur shumë kohë dhe energji po ky është vetëm fillimi i punës sonë me qytetarët. Do punojmë më shumë për ta bërë Shqipërinë më të sigurt”.
HARITO: NË 18 MUAJ KEMI 3-FISHUAR INVESTIMET, SË SHPEJTI INTERNET 4G
Në fillim të këtij aktiviteti, ministrja e Inovacionit Milena Harito është ndalur tek investimet e bëra në këtë fushë deri më tani, ndërsa shtoi se shumë shpejt që qytetarët do të ofrohet shërbimi 4G.
“Në 18 muaj kemi 3-fishuar investimet, burimet në agjencitë tona të inovacionit, dhe kemi krijuar një agjenci të tretë për shërbimet publike. Lëvizja për të modernizuar vetë qeverisjen ka filluar dhe po ecën me ritëm të shpejtë. Për pak muaj do të jemi në 4G, dhe kjo është rruga që interneti të jetë i aksesueshëm në duart e të gjithëve. Kemi mirëmenaxhuar frekuencat që përdoren për këtë gjë, duke sjellë të ardhura edhe për buxhetin e shtetit. Kemi angazhuar nxënësit e shkollave të mesme që të krijojnë Wikipedia-t e zonave të tyre. Duam të nxisim inovacionin në sektorin privat. Synojmë nxitjen e inovacionit në të gjithë shoqërinë”, tha ministrja Harito.
(el.sp/ma.ar/BalkanWeb)
