Flamurtari kërkon vetëm fitoren në për balljen e radhës ndaj Teutës një ndeshje e cila do të zhvillohet në Vlorë dhe që konsiderohet vendimtare për fatin e sezonit të kuqezinjve.
Në kampin vlonjat nuk ka vend për pushim, pasi skuadra ka hyrë në një fazë kritike ku çdo pikë ka peshë të jashtëzakonshme. Menjëherë pas përfundimit të ndeshjes së fundit me Partizanin, stafi teknik dhe futbollistët kanë kthyer fokusin te sfida e radhës.
Trajneri Andi Ribaj ka zhvilluar një mbledhje me skuadrën, ku ka qenë i qartë në objektivat: 6 pikë në dy ndeshjet e mbetura janë minimumi i kërkuar për të arritur synimin madhor, mbijetesën në kampionat. Gjatë fjalës së tij, Ribaj ka theksuar se nuk ka vend për nënvlerësim të kundërshtarit, duke paralajmëruar se Teuta mbetet një skuadër e fortë dhe e rrezikshme.
“Duhet të jemi maksimalisht të përqendruar. Teuta është një kundërshtar që di të vërë në vështirësi çdo ekip. Nuk duhet të diskutohet fitorja, por duhet ta fitojmë atë në fushë me punë dhe sakrificë”, është shprehur trajneri vlonjat.
PREMIOT NË FUSHË- Në të njëjtën linjë me stafin teknik është edhe presidenti i klubit, Sinan Idrizi, i cili vijon të mbështesë skuadrën në këtë moment delikat. Për të motivuar ekipin, ai ka vendosur një premio të konsiderueshme prej 50 milionë lekësh për fitoren ndaj Teutës. Një shpërblim që pritet të rrisë edhe më shumë motivimin e futbollistëve në prag të kësaj përballjeje të rëndësishme. Por nuk mbaron me kaq. Nëse Flamurtari arrin të fitojë edhe ndeshjen pasuese ndaj Vllaznisë në Shkodër, premio totale do të shkojë deri në 200 milionë lekë, një superbonus që tregon qartë rëndësinë që ka mbijetesa për klubin vlonjat.
SITUATA – Sa i përket gjendjes së skuadrës, Flamurtari pritet të zbresë në fushë pothuajse i plotë. Lajmi i vetëm negativ vjen nga mungesa e Redi Kasa, i cili ka pësuar një traumë në gishtin e madh të këmbës gjatë stërvitjes dhe nuk do të jetë i gatshëm për këtë takim. Pjesa tjetër e grupit është në dispozicion të trajnerit dhe gati për të dhënë maksimumin në këtë ndeshje që shihet si një “finale” për fatin e sezonit. Atmosfera në skuadër është pozitive, ndërsa besimi për të marrë tri pikët është i lartë.Të gjitha rrugët çojnë drejt një përballjeje të fortë në Vlorë, ku Flamurtari nuk ka alternativë tjetër përveç fitores. Presioni është i madh, por po aq i madh është edhe motivimi për të dalë me sukses nga kjo sfidë vendimtare.
