NGA ARBËR SULO*

SARANDË- Prifti i kishës “Shën Harallambi” në Sarandë është dhunuar nga dy persona të armatosur gjatë tentativës për grabitjen e banesës së tij. Bëhet fjalë për 77-vjeçarin Kristo Papa, babain e kreut të OMONIA-s, Leonidha Papa. Burime zyrtare nga policia lokale bënë me dije se ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 20:15 të së hënës, në lagjen nr.1 të qytetit bregdetar.

Mësohet se i moshuari, pasi kishte mbajtur meshën në kishë, ishte kthyer në banesën e tij dhe në momentin që po hapte derën është sulmuar nga dy persona me kapele në kokë. Agresorët, të cilët janë prezantuar si efektivë të Antidrogës, i kanë kërkuar priftit që t’u jepte paratë që kishte në shtëpi. E ndërsa prifti ka rezistuar, dy autorët e krimit kanë tentuar ta lidhin në banjë dhe më pas e kanë goditur atë me shkelma në trup dhe fytyrë.

Autorët e ngjarjes janë larguar me shpejtësi nga shtëpia e priftit (banon në katin e parë të një pallati) pa mundur të marrin gjë. Ndërkohë, policia e njoftuar për plagosjen e 77-vjeçarit ka mbërritur shpejt në vendngjarje dhe ka nisur hetimet. Burime pranë grupit hetimor pohuan se dyshohet që dy personat që plagosën priftin Kristo Papa të jenë punëtorë sezonalë në Sarandë.

Dyshimet e para kanë qenë se autorët do të largoheshin me autobusin e fundit, atë të orës 22:00, të linjës Sarandë-Tiranë. Blutë kanë arritur të ndalojnë mjetin në Gjirokastër, ndërsa kanë shoqëruar dhe marrë në pyetje dy persona të dyshuar. Më pas, operacioni për kapjen e autorëve të krimit është shtrirë në gjithë qytetin e Sarandës, e kryesisht në vendin e quajtur “Axhensia” dhe në një hotel ku qëndrojnë punëtorët sezonalë. Në lidhje me këtë ngjarje, policia ka shoqëruar edhe 20 persona të tjerë, banorë të përkohshëm të Sarandës, por ende nuk ka arritur të kapë agresorët. Ndërkohë, në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, prifti Kristo Papa ka treguar me detaje se si e dhunuan dy personat e armatosur në banesën e tij.

Mund të na thoni si ndodhi ngjarja?
Mbrëmjen e së hënës, rreth orës 20:15, pasi mbarova meshën në kishë, u ktheva në banesën time. Në momentin që po hapja derën, m’u afruan dy persona me kapele në kokë dhe të armatosur me pistoleta. Ata më thanë: ‘Jemi Antidroga’, ndërsa më shtynë brenda dhe më kërkuan paratë. Ndërsa unë u thashë prerazi se nuk kam para.

Kishte njeri tjetër në banesën tuaj në atë moment?
Jo, pasi gruaja ime, Athinaja kishte dalë.

Çfarë ndodhi më pas?
Dy personat që m’u prezantuan si të Antidrogës tentuan që të më mbyllnin gojën me skoç, por unë rezistova. Ata më futën me forcë në tualetin e shtëpisë e ndërsa më godisnin tentuan sërish të më mbyllnin gojën dhe unë sërish bëra rezistencë. Teksa po merreshin me mua, u dëgjua një zhurmë nga jashtë. Ata u frikësuan dhe dolën me shpejtësi nga banja për të parë. Pas tyre dola në korridor dhe unë. Sapo më panë, ata më goditën me shkelma në trup dhe në fytyrë, ndërsa ikën me shpejtësi pa mundur të grabisnin gjë në banesën time. Më goditën aq shumë, sa nuk qëndroja dot në këmbë nga dhimbjet.

Kush ju ndihmoi pasi u plagosët nga dy agresorët?
Një banor kishte dëgjuar që po thërrisja dhe po kërkoja ndihmë. Ai erdhi menjëherë, ndërsa unë i thosha që të shikonte nga ikën dy personat që më goditën. Por nuk mundi të shikonte gjë, pasi ishte errësirë, ndaj njoftoi Policinë për ngjarjen. Më pas erdhi në shtëpi edhe bashkëshortja ime, e cila më gjeti të terrorizuar.

A mund t’i përshkruani dy personat që ju dhunuan?
Jo, nuk munda t’i shoh, pasi çdo gjë ndodhi shumë shpejt. Ata kishin kapele në kokë. Ishin me moshë rreth 30-35 vjeç. Nga e folura, dialekti, nuk ishin nga Saranda, mbase nga Shqipëria e Mesme. Shpresoj që t’i identifikojë dhe t’i vërë në pranga Policia, e cila erdhi shumë shpejt në vendngjarje dhe nisi hetimet.

Çfarë deklaruat në Polici?
Rrëfeva me detaje gjithë ngjarjen. U thashë se agresorët që më kërkuan paratë ishin të armatosur dhe m’u prezantuan si të Antidrogës. Pas dëshmisë, shkova në Spitalin e Sarandës, ku mora ndihmën e parë mjekësore. Sot (dje) nuk munda të mbaja meshën, pasi kam shumë dhimbje.

Cili është apeli juaj?
Fillimisht dua të falënderoj Policinë, e cila erdhi menjëherë pasi i sinjalizuam për ngjarjen. Kërkoj që ngjarja të zbardhet sa më shpejt dhe të vihen para drejtësisë dy personat që më sulmuan në shtëpinë time dhe tentuan që të më grabisnin.

(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: