NGA ERJOLA JATA*

TIRANË- Lufta kundër informalitetit e ndërmarrë nga qeveria që prej fillimit të muajit shtator, duket se nuk ka përfshirë vetëm biznesin e vogël por edhe sipërmarrësit e mëdhenj. Në fund të muajit tetor, pritet që pas hekurave, të përfundojnë edhe biznesmenë të mëdhenj, të akuzuar për shkelje ligjore e financiare.

Burime nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve konfirmojnë për News 24 se priten arrestime të subjekteve të mëdha tregtare të cilët kanë kryer evazion në shuma të mëdha. Bëhet fjalë për ato biznese të cilat janë konstatuar me shkelje në fazën e parë të aksionit kundër informalitetit. Po të njëjtat burime thonë se arrestimet që do të pasohen me gjykimin, bëhen në kuadër të ndryshimeve të reja ligjore në Kodin Penal, që parashikojnë dënim me heqje lirie deri në 3 vjet. Kështu duke ju referuar ndryshimeve në Nenin 180 të Kodit Penal citohet se: Ushtrimi i një aktiviteti tregtar të paligjshëm apo ushtrimi i një aktiviteti tregtar të paregjistruar në organet tatimore, mosdeklarimi i të punësuarve, moslëshimi i kuponit tatimor përbën vepër penale dhe dënohet deri në tre vjet burgim.” Të pyetur nga News 24 se në cilët sektorë e ushtrojnë aktivitetin këta sipërmarrës, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve konfirmon se bëhet fjalë për sektorë të ndryshëm të ekonomisë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb