Deputetët, të cilët u larguan nga parlamenti për shkak të shkuarës së tyre që KQZ e shpalli në papajtueshmëri me dekriminalizmin, do të vazhdojnë të përfitojnë nga taksat e qytetarëve.

Vazhdimin e privilegjeve e mundëson ligji për statusin e deputetit, ndërsa i ashtuquajturi ligji i dekriminalizimit parashikon ndërprerjen e mandatit por jo trajtimin financiar të tyre. Në ligjin për statusin e deputetit, i rishikuar në vitin 2013, në neni 20 pika 1 sanksionon:

Deputeti përfiton të drejtën e pagesës kalimtare dhe të pensionit suplementar sipas ligjit nr.7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë” me ndryshimet dhe plotësimet e mëvonshme dhe ligjit nr.8097, datë 21.3.1996 “Për pensionet shtetërore suplementare të personave që kryejnë funksione kushtetuese dhe të punonjësve të shtetit” me plotësimet e mëvonshme.

Ndërkaq, ligji për “Për pensionet shtetërore suplementare të personave që kryejnë funksione kushtetuese dhe të punonjësve të shtetit” deputetët përfshihen në termin “grupi i parë”. Neni 7 i ligjit parashikon që pas largimit nga detyra deputetëve u garantohen dy paga mujore dhe 50 përqind e pagës, në muaj për 3 vite.

Personave të grupit të parë, që përmenden në shkronjën “b” të pikës 8 të nenit 1, pas largimit nga funksioni, u jepen dy paga mujore të funksionit dhe pas këtyre pagave marrin 50 për qind të pagës referuese, për aq kohë sa kanë punuar në funksione të tilla, por jo më shumë se 3 vjet nga momenti i largimit nga ky funksion.

Pra pavarësisht largimit nga paralamenti si person me të shkuar problematike, ish-deputetët vijojnë të përfitojnë nga taksat e qytetarëve. Përfitimi nuk është i vogël, një deputet në Shqipëri pa llogaritur dietat apo trajtimet ekstra paguhet rreth 1 milion e 600 mije lekë në muaj.

Të larguarit nga kuvendi do të përfitojnë rreth 800 mijë lekë të vjetra për 3 vitet e ardhshme. Kjo shifër, është 3 herë më e lartë se paga mesatare në administratën shtetërore apo 7 herë më e lartë se një pension mesatar./Oranews.tv/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb