Egnatia ka një problem të qartë për të zgjidhur në këtë periudhë pushimi. Përtej rezultateve dhe paraqitjeve, vëmendja e stafit teknik është përqendruar te një element konkret: golat e pësuar. Trajneri Nevil Dede kërkon që skuadra të rikuperojë stabilitetin në prapavijë dhe të rikthehet në fushë me një tjetër nivel sigurie defensive.

Nëse merret në konsideratë seria e ndeshjeve të fundit, statistika është domethënëse. Në sfidën e parë me Tiranën, Egnatia arriti ta mbyllte ndeshjen pa pësuar gol, por në katër takimet e tjera të zhvilluara më pas rrjetat e portës së saj janë prekur. Pikërisht kjo është ajo që shqetëson më shumë Nevil Deden. Jo vetëm fakti që skuadra ka pësuar, por vazhdimësia e golave të pësuar në ndeshje të njëpasnjëshme.

Për një ekip që synon të ruajë vazhdimësinë dhe të jetë konkurrues në objektivat e sezonit, stabiliteti në prapavijë është një komponent që nuk mund të lihet pas dore. Egnatia ka treguar se ka potencial në fazën sulmuese dhe se mund të krijojë raste e të shënojë, por në futboll ekuilibri mes dy fazave është vendimtar. Pikërisht këtë ekuilibër kërkon të rikthejë stafi teknik.

KYÇJA E PORTËS – Për trajnerin rrogozhinas, një prej objektivave gjatë kësaj periudhe është të punojë me skuadrën për reduktimin e gabimeve që çojnë në raste dhe gola të pësuar. Puna nuk lidhet vetëm me mbrojtësit. Faza defensive nis që në momentin kur skuadra humbet topin dhe përfshin të gjithë strukturën e ekipit.

Presioni, pozicionimi, distancat mes reparteve dhe reagimi pas humbjes së topit janë elementë që ndikojnë drejtpërdrejt në numrin e rasteve që kundërshtari krijon. Në këtë aspekt, Dede ka kohën në dispozicion për të ndërhyrë dhe për të rregulluar detajet që kanë munguar në ndeshjet e fundit. Periudha e pushimit nuk shihet vetëm si një ndërprerje e kampionatit, por edhe si një mundësi duhet t’i marrim ndeshjet një e nga një, sipas radhës, duke i vlerësuar të gjitha në të njëjtin këndvështrim, pavarësisht renditjes që kanë.

Stafi teknik mund të përdorë këto ditë për të analizuar golat e pësuar, mënyrën se si kanë ardhur rastet e kundërshtarëve dhe pozicionimin e skuadrës në momentet kritike. Synimi është që Egnatia të rikthehet më e konsoliduar në prapavijë dhe të fitojë sigurinë që i ka munguar në ndeshjet e fundit. Me angazhimet që e presin, përfshirë edhe sfidat europiane, mbajtja e portës së paprekur do të jetë një nga aspektet ku Dede do të kërkojë përmirësim.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb