Kryetari i bashkisë së Shkodrës Bardh Spahia gjatë një komunikimi të drejtpërdrejtë në emisionin ‘Open’ në News24 ka folur mbi situatën e fundit me reshjet në Shkodër ku shumë zona të qarkut janë përballur me përmbytje dhe problematika të tjera gjatë 24 orëve të fundit.

“Në momentin që ne flasim janë 2500 ha të mbuluara nga uji në Shkodër, këto janë kryesisht në Gurin e Zi, ku përfshihet zona e fshatit Kuç, në Dajç dhe në zonën e Anës së Malit. Ka përmbytje serioze në njësinë Bërdicë dhe lagjet periferike të Shkodrës të cilat janë përballur me një situatë shumë të rrezikshme”, deklaroi ai.

Spahia tha se fakti që ka pasur një “bombë hidrike” nga hapja e portave të hidrocentraleve faktohet nga rrënimi i urës së vjetër të Drinit e cila sipas tij nuk ka pasur problematika as gjatë përmbytjeve masive të vitit 2010.

Sipas tij problemi i vërtetë me të cilin përballen këto zona vjen nga hapja e këtyre portave dhe se për tu kthyer në problem reshjet do duheshin reshje me intensitet të tillë për ditë të tëra.

“Në 2010 ka qenë përmbytja më e madhe, ka qenë e shtrirë në kohë, dhe sot konsiderohen reshje me densitet të madh për Shkodrën. Shkodra është mësuar me të tilla raste, ajo që bën diferencën është menaxhimi i instituconeve që e kanë detyrë dhe të minimizojnë pasojat e përmbytjeve. Nuk ka asnjë mundësi që Shkodra të përmbytet në këto nivele nga reshjet e shiut, sado të dendura janë ato. Edhe Drini edhe Kiri janë sisteme të lidhura bashkë, fakti që ka pasur një “bombë hidrike” nga portat e hidrocentralit fakothet nga rrënimi i urës së vjetër të Drinit, që nuk ndodhi as në përmbytjet e vitit 2010.

Nuk kam informacion mbi menaxhimin epportave të HEC-eve dhe kjo është shqetësuese. E them vazhdimisht, problemi i vërtetë me të cilin përballen këto zona vjen nga hapja e këtyre portave. Për tu kthyer në problem reshjet do duheshin reshje të tilla me ditë të tëra”, tha ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb