TIRANË

Për deputetin e PD-së Tomor Alizoti vendimi i Gjykatës për vulën e PD nuk e dëmton këtë forcë.

Alizoti pohoi në emisionin “Open” në News24 se ky vendim e lodh, por nuk e dëmton PD-në, madje sipas tij është momenti më i mirë politik për të bërë politikë brenda PD-së dhe se vërtetohen tezat e opozitës se i gjithë sistemi është kundër saj.

“Kam bindjet e mia që unë nuk merrem fare me gjykatat. Është kthyer e gjithë biseda politike bazuar në gjykata. Kjo ishte një betejë politike brenda PD-së, u zgjidh më 6 marsin e kaluar dhe dolën 2 forca në PD, të cilat patën një konflikt brenda asaj partie, hynë në një garë politike, në garën lokale dhe rezultoi që grupi i sotëm aktual brenda PD-së, grupi i z. Berisha të fitonte bashkinë. Këtu mbyllet konflikti politik.
Politika nuk është çështje gjykate, është çështje ndjekësish. Kush ka më shumë ndjekës dominon politikën. Ky është ligji a dhe b. Është shumë e thjeshtë. Procedurat ndonjëherë shërbejnë për të legalizuar shumë padrejtësi. Kjo është një procedurë për të legalizuar një padrejtësi. De fakto, partia u vendos në mënyrë politike që është kjo që është. Ka dhe një pjesë e vogël, mendim për një fraksion, që ne si parti të shkonim drejt zgjedhjeve të qetë.
Shqipëria nuk ka qenë ndonjëherë shtet i së drejtës. Vetë fakti që vendimi i kësaj gjykate që del 2-3 ditë para regjistrimit ka një hile pa masë. E lodh këtë parti, por nuk dëmton fare. Një pjesë e madhe e demokratëve janë revoltuar. Madje jo vetëm demokratët, kanë një empati, keqardhje që padrejtësia mund të shkojë deri aty sa të preket opozita.
Hile ka në vendimin për të marrë çështjen zyrtare. Unë mendoj se është momenti më i mirë politik për të bërë politikë brenda PD-së. I gjithë sistemi është kundër opozitës. Tani opozita vërtetohet në tezat e saj. Nuk mund të jesh politikan me vendim gjykate. Nëse një prijësi fetar do i duhej një vendim gjykate për të qenë prijës. Do ta refuzoj të merrem me këtë problem idiot për një vendim idiot gjykate”, tha Alizoti.

 

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: