Rrëfimet e Floresha Rashës, të vejës së Lavdërim Muhaxherit, janë një nga provat kryesore që SPAK ka kundër 23 të pandehurve të dyshuar për pjesëmarrje në organizatë terroriste dhe luftime përkrah organizatës terroriste ISIS në Siri. E riatdhesuar nga kampi famëkeq Al Hol në Siri, gruaja vendosi të bashkëpunojë me prokurorinë dhe të japë të dhëna konkrete mbi mënyrën e funksionimit të organizatës terroriste, mënyrën sesi paguheshin anëtarët e saj, si dhe detaje për njohjen dhe veprimtarinë e luftëtarëve shqiptarë si dhe mbështetjen që iu jepnin familjarët e tyre, raporton BalkanWeb. Ajo ka rrëfyer po ashtu po rolin që gruaja kishte brenda shteti islamik, ndërsa ka deklaruar të dhëna konkrete mbi çdo familje shqiptare udhëtimet e tyre në vende të ndryshme brenda këtij shteti, si dhe veprimet e kryera prej tyre.

“Jam larguar nga Shqipëria përmes aeroportit nënë Tërezë me datë 5 korrik 2013 për në Stamboll e prej andej në Siri. Kam udhëtuar me dy fëmijët Doja e Amar Rasha si dhe Brunilda Koçollarin dhe 3 fëmijët e saj. Për udhëtimin në Siri i kam dhënë Brunilda Koçollarit shumën prej 600 eurosh për prerjen e biletave të udhëtimit për në Turqi”, rrëfen gruaja. Pas vrasjes së bashkëshortit të saj Diamant Rasha, në vitin 2014, Floresha Rasha u martuar me luftëtarin e organizatë terroriste, Lavdërim Muhaxheri, i cili ka pasur poste të rëndësishme si komandat i grupit shqiptar për rreth 80 luftëtarësh, për këtë arsye ka mundur të sigurojë dhe informacione mbi mënyrën e organizimit dhe funksionimit të organizatës terroriste.

Gruaja ka treguar se martesa është kurorëzuar nga një shtetas sirian që ishte pjesë e administratës së ISIS dhe ishte me detyrë Kadi dhe se për këtë janë paguar nga ISIS 1500 dollarë amerikan, raporton BalkanWeb.
“Gjatë qëndrimit në Rraka, bashkëshorti im Lavdërim Muhaxheri ka patur detyrën e ndihmës Valiut”, shpjegon Rasha. Sipas saj, familjet e luftëtarëve shqiptarë që ishin pjesë e shteti islamik kanë qëndruar bashkë me përjashtime të vogla, të kryesuara nga mosmarrëveshje financiare.

“Pjesa e shqiptarëve që kanë frekuentuar zonat e Irakut në zotërim të ISIS kanë pasur pagesa më të lartë dhe kushte jetese më të mira”, tregon Rasha. Ajo shton më tej, se “strukturat ushtarakë ishin të ndërtuara dhe funksionin në bazë të kombësive, ku grupi i luftëtarëve të ISIS përbëhej nga 80 luftëtarë me komandat Lavdërim Muhaxherin dhe zv.komandat Ridqan Aqifi, i cili ishte përgjegjës për luftëtarët e Kosovës dhe Zejdi nga Maqedonia. Ky grup më pas është ndarë në dy pjesë në gripin e shqiptarëve me kombësi nga Kosova, Maqedonia e Veriu dhe Mali i Zi dhe në krye të tyre ishin Ladërim Muhaxheri dhe një shtetas me emrin Zejdi nga Maqedonia. Në përbërje të grupit tjetër ishin vetëm luftëtarë nga Shqipëria ku komandante ishin shtetas të huaj”, dëshmon Rasha. E pandehura, ka shpjeguar se çdo familje luftëtari merrte shpërblime për të rënët në luftë, shpërblime për martesat si dhe pagesat mujore për jetesën nga zyra e Valiut.

Pas vrasjes së Muxhaxherit, gruaja ka lidhur një tjetër martesë më një shtetas sirian, edhe ky luftëtar i ISIS. Teksa qëndronte në Baguz të Sirisë, rreth muajit mars të 2019 ajo është plagosur rëndë si pasojë e bombardimeve. Me arritjen e marrëveshjes mes forcave kurde dhe organizatës terroriste ISIS, është dorëzuar sëbashku me shumë shtetas shqiptar dhe të huaj ku burrat dhe fëmijët mbi moshën 14 vjeç janë futur në burgje, ndërsa gratë dhe fëmijët janë çuar në kampet AL – Hol e Roxh në administrimin e forcave Kurde. Për shkak të plagëve Floresha Rasha është trajtuar në spitalin Hasake dhe më pas është çuar në kampin AL Hol, për t’u riatdhesuar prej andej në tetor të 2020. Në dëshminë e saj, ajo ka treguar se njohjen me Almira Kastratin, gruan e imamit të vetëshpallur të Unazës së Re Genci alias Abdurrahim Balla, i dënuar për rekrutim të besimtarëve myslimanë shqiptarë dhe dërgimin për xhihad në Siri. “Almira Kastratin e kam njohur në vitin 2012 në ambientet e Xhamisë së Re, të cilën ma prezantuan si gruaja e dytë e imamit të Xhamisë, Genci Balla. Atë e thërrisnin me emrin fetar Safije. Më të jam ritakuar në Siri Tarifat. Almira jetonte në shtëpi vetëm ne dy djemtë e saj”, shpjegon ajo.
Brunilda Kocollari është një tjetër e pandehur që ka pranuar se frekuentonte xhamitë e Mzezit ku imam ishte Bujar Hysa, një nga imamat e dënuar për rekrutimin e besimtarëve për kryerjen e veprave me qëllime terroriste, si dhe atë të unazës së re.

Ajo shpjegon se pas një viti jetese në Mëzez, ky bashkëshorti i saj, punonte si marangoz, Arturi i shprehur dëshirën për të shkuar në Siri ku preteksti kryesor ka qenë se vëllezërit mysliman i kanë ofruar ndihmë dhe ai do ta ofronte ndihmën e tij duke luftuar për ta. “Me kërkesë të tij vendosa të shkoj në Siri, me kushtin që nëse shikoja ndonjë gjë që nuk shkonte do të kthehesha menjëherë, për udhëtimin, biletat si dhe çdo gjë tjetër që me nevojitej mi siguroi Bujar Hysa pasi Arturi më tha të lidhesha me të”, tha ajo. Klotilda Zani, është një tjetër grua që sqaron se në Siri është marrë me kujdesin e fëmijëve dhe të bashkëshortit të saj Etion Zani, i cili ishte luftëtar i shtetit Islamik ISIS si në Siri dhe në Irak. Ajo ka pranuar se paguhej rregullisht ajo dhe familja e saj nga ana e organizatës terroriste ISIS, për shkak të shërbimit që bënte bashkëshorti i saj, Etion Zani. Të gjithë të pandehur burra sipas SPAK i janë bashkuar organizatës terroriste dhe kanë luftuar përkrah saj, kundrejt pagesave.

Për këtë hetim, SPAK ka kërkuar edhe ndihmën e Departamentit Amerikan të drejtësisë për shtetasi shqiptare që kanë udhëtuar në drejtim të vendeve në konflikt Siri-Irak dhe që janë pjesë e organizatës terroriste ISIS.
Në dhjetor 2017, forcat e koalicioni kanë kryer një operacion në Provicën Hasaki Siri ku kanë sekuestruar, hard disqe, tap top, tableta etj dhe dokumente të kopjuara në letër. Ky dokument përmban një listë të anëtarëve të ISIS, duke përfshirë shumat e paguara për ta, njësitë si dhe të tjera informacione. Dokumenti përmban gjithashtu një skedë që liston fëmijët e anëtarëve të ISIS, si dhe një skedë që përmban informacione për vartësit e anëtarë të ISIS.

Sipas informacioneve rezulton se me datë 19 dhjetor 2019, forcat e koalicionit morën nga një individ në afërsi të aeroportit, në Irak materiale të rëndësishme që përmbajnë informacione për terroristët e huaj që janë kthyer në vendet e tyre sëbashku me një listë të individëve të garantuar. Kjo është një listë pagesë e shtetit islamik që përmban informacione personale të luftëtareve arabë dhe të huaj, informacione që përfshijnë emrin, emrat fetare, datën e; lindjes, numrin e regjistrimit, detyrën dhe endin e origjinën, si dhe informacione të tjera.
Për shtatë nga gratë e pandehura, SPAK ka shpallur pretencën dhe pritet vendimi. Ndërsa të gjithë burrat janë në mungesë dhe procesi ndaj tyre pezullohet sipas ligjit për një afat 1-vjeçar.

Të pandehur:
Shyqyri Kaca – “arrest me burg” në mungesë
Lavdie Kaca – “detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “ndalim për të dalë jashtë vendit”
Saimir Kaca – “arrest me burg” në mungesë
Enes Kaca – “arrest me burg” në mungesë
Ditar Balla – “arrest me burg” në mungesë
Bajram Sulaj – “arrest me burg” në mungesë
Entela Vladi – “detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “ndalim për të dalë jashtë vendit”
Fatbardh Taushani – “arrest me burg” në mungesë
Ali Balliu – “arrest me burg” në mungesë
Ruzhdie Balliu – “detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “ndalim për të dalë jashtë vendit”
Etleva Stafasani – “detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “ndalim për të dalë jashtë vendit”
Arbër Stafasani – arrest me burg në mungesë
Stela Stafasani – “detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “ndalim për të dalë jashtë vendit”
Usejd Stafasani – “arrest me burg” në mungesë
Etion Zani – “arrest me burg” në mungesë
Klotilda Zani – “detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “ndalim për të dalë jashtë vendit”
Nertil Hysenllari – “arrest me burg” në mungesë
Ledio Mehmeti – “arrest me burg” në mungesë
Erion Luto – “arrest me burg” në mungesë
Erdet Korro – “arrest me burg” në mungesë
Almira Kastrati (emri fetar Safije) – “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “ndalim për të dalë jashtë vendit”
Floresha Rasha – “detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “ndalim për të dalë jashtë vendit”
Brunilda Kocollari – “detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “ndalim për të dalë jashtë vendit”
Akuzat: “Pjesëmarrje në organizatë terroriste”; “Pjesëmarrje në veprime luftarake në një shtet të huaj”

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb