Profesori Lush Susaj ka folur gjatë protestës, duke sjellë në vëmendje një dëshmi që, sipas tij, lidhet me presionin politik ndaj studentëve dhe të rinjve në shkolla e universitete.

Susaj tha se kishte takuar një student që kishte drejtuar protestën studentore të viteve 2018-2019 dhe se ai i kishte rrëfyer se ishte penalizuar me nota pas pjesëmarrjes në protestë.

“Zoti i nderoftë studentët. Takova tani një student që drejtoi protestën e 2018-2019. Më tha: ‘Profesor, më kanë masakruar, më kanë ulur në nota’. Kjo është dhuna politike mbi shkollat dhe universitetet”, u shpreh Susaj.

Profesori kritikoi gjithashtu kolegët e tij që, sipas tij, ndërtojnë karrierën duke ushtruar presion ndaj studentëve dhe nxënësve.

“Zoti i turpëroftë hordhitë e profesorëve që bëjnë karrierë në kurrizin e studentëve. E dija që atëherë, kështu u mbyt protesta studentore, që t’i kushtonte Shqipërisë 7 vite dhunë”, deklaroi ai.

Në vijim, Susaj e cilësoi protestën aktuale si një zhvillim të rëndësishëm për vendin, ndërsa u bëri thirrje mësuesve dhe pedagogëve të mos ushtrojnë presion politik mbi të rinjtë.

“Kjo protestë është më e mira që i ka ndodhur vendit. Çdo mësues e profesor, i bëj thirrje: mos iu lëpini partisë, mos guxoni të bëni presione mbi nxënësit dhe studentët”, tha Lush Susaj.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb