Aktori, moderatori, producenti dhe biznesmeni Ermal Mamaqi ka treguar për News24 se si po e kalon karantinën bashkë me familjen. Ndonëse një njeri tepër aktiv jashtë shtëpisë, Ermali si gjithë të tjerët i është nënshtruar masave për parandalimin e koronavirusit.

Në një bisedë me News24, Mamaqi tha se projektet profesionale janë ndërprerë por se ka gjetur një tjetër mënyrë për tua sjellë afër dy filmat e tij atyre që nuk i kanë parë.

Ndonëse në një situatë me shumë pikëpyetje për këdo, aktori u shpreh shumë optimist për shfrytëzimin e kësaj kohe të qëndrimit në shtëpi në mënyrën më të mirë të mundshme.

“Edhe projektet tona janë ndërprerë. Më erdhi keq për projektin tim “I love Tropoja” se ishim në mes të valës së transmetimit. Do ishim në Greqi, Itali, Amerikë e vende të tjera por çdo gjë u ndërpre.
Unë besoj që çdo gjë ndodh për një arsye të mirë, tani me ekipin tim jemi përkushtuar dhe po bëjmë gati një ëebsite që të gjithë shqiptarët, ata që duan të shohin filmin ‘I love Tropoja’ dhe ‘Dy gisht mjaltë’ ta shohin online.
Janë anuluar vetëm dasmat e muajit maj. Klientët e muajit qershor nuk kanë bërë anulim. Janë akoma të vlefshme. Nuk janë anuluar as dasmat e verës. Kështu që njerëzit nuk e kanë humbur shpresën. Është keq kur anulon datën e dasmës. Vetëm anulimet e muajit maj, ka pasur disa”, tha Mamaqi.

Ai dërgoi dhe një mesazh për shqiptarët duke u bazuar tek eksperienca personale.
“Pa u bërë i keq me ca njerëz, por me thënë të drejtën e kam shijuar këtë kohë. Po bëj gjërat që nuk mundesha t’i bëja kur isha në punë. Duket sikur planeti, Zoti çojnë një sinjal dhe tha ‘stop, ndalo pak se jeni duke vrapuar shumë. Çdo ditë mendoni për sa më shumë lekë, sa më shumë famë. Dhe stop të gjithave e merruni me familjen’.
I jam kthyer fort leximit. Përfundova një kurs, një master dhe kam filluar një tjetër. Në gjithë zallamahinë që ka shtëpia, bëni një ushtrim sepse do ju ndikojë jo vetëm për këtë kohë por për gjithë jetën. Shkoni në një vend, ndoshta dhe në banjë, ose në dhomë dhe përkushtojuni vetes tuaj për 60 minuta. Celularin vëreni në heshtje dhe thojini të mos ju shqetësojnë dhe dëgjoni vetëm veten tuaj. Kushdo që e bën mrekullohet. Ju siguroj se funksionon. Shfrytëzojeni këtë kohë dhe mos e lini mendjen të ikë. përmirëso veten tënde”, u shpreh Ermal Mamaqi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb