Fermerët e fshatrave të Tiranës nuk do të kenë më arsye që të paguajnë tarifa të larta për të shitur produktet e tyre bujqësore dhe blegtorale në tregun monopol të shumicës që ekziston në kryeqytet. Nga Zall-Herri, ku vijoi fushatën e tij elektorale, kandidati i koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Europiane”, njëherësh edhe kryetari aktual i Bashkisë së Tiranës, theksoi se në 4 vitet e ardhshme ky monopol do të prishet dhe kryeqyteti do të ketë një treg të ri shumice agro-ushqimor që do të shërbejë edhe si pikë grumbullimi.

“Fshati ka nevojë edhe për disa pika shitje. Kam qenë shumë i shqetësuar sepse kemi vetëm një pikë shumice në Kashar, që e ka një privat. Nuk duam t’ia heqim lopën tjetrit, le të hanë të gjithë. Çështja është se nuk mund të jemi peng i lopës së tjetrit, që do të thotë, nëse e ka vetëm një njeri atë monopol, ai monopol do të prishet. Pra, ata të vazhdojnë punën e tyre, por Bashkia do të hapë një qendër të vet shumice agro-ushqimore, që fshati të ketë mundësi të shesë, qytetarët të kenë mundësi të blejnë më lirë. Vjen domatja e zezë apo një frut nga fshatrat e Tiranës, shkon e falet te tregu monopol, i shtohet dyfish çmimi, sikur çfarë iu kanë bërë, vetëm se ka hyrë te ai vendi i shenjtë, dhe na shitet sikur ka ardhur nga Tokio. Kjo s’ka sens. E kanë marrë si e kanë marrë kontratën nga Saliu, nuk i hyj fare asaj, por di të them që ne, siç kemi treguar se shumë punë dimë t’i bëjmë më mirë se privati, jam i bindur që do ta bëjmë tregun e ri agro- ushqimor më mirë, më lirë dhe më cilësor se sa privati”, tha Veliaj.

Ai gjithashtu bëri të ditur se tregu do të ngrihet në një zonë mes Farkës dhe Dajtit në mënyrë që të jetë lehtësisht i aksesueshëm nga fermerët dhe banorët e fshatrave të Tiranës. “Jemi duke caktuar një zonë, që është kufiri i Farkës me Dajtin dhe do të sigurohemi që në fakt që tregu ti japi prioritet katunarëve tanë dhe pastaj atyre që vijnë nga rrethet e tjera. Por prioritet janë fshatarët tanë”, shtoi Veliaj.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb