TIRANE– Ndonëse Prokurorja e Tiranës, Antoneta Sevdari kaloi procesin e vettingut duke u konfirmuar në detyrë nga Komsioni i Pavarur i Kualifikimit, Komisioneri Publik ka dalë kundër duke ankimuar vendimin në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, pranë Gjykatës Kushtetuese. Sipas Komisioneri Publik, hetimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nuk është i plotë dhe faktet dhe provat e administruara në përfundim të këtij hetimi administrativ janë të pamjaftueshme.

Deklarata e Komisionerit Publik:

Komisioneri Publik, brenda afatit ligjor, ka ushtruar ankim në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit
pranë Gjykatës Kushtetuese, kundër vendimit nr. 42, datë 18.7.2018, të Komisionit të Pavarur të
Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit znj. Antoneta Sevdari, prokurore në Prokurorinë e
Gjykatës së Shkallës së Parë, Tiranë, kandidate për anëtare e Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Në vlerësimin e Komisionerit Publik, në rastin konkret, hetimi i Komisionit të Pavarur të
Kualifikimit nuk është i plotë. Për rrjedhojë, faktet dhe provat e administruara në përfundim të
këtij hetimi administrativ janë të pamjaftueshme për të mbështetur vendimin e Komisionit të
Pavarur të Kualifikimit për konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit, referuar pikës 1, të
nenit 59 të ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në
Republikën e Shqipërisë”.

Bazuar në përmbajtjen e pikës 3, të nenit F, të aneksit të Kushtetutës së Republikës së
Shqipërisë, Komisioneri Publik nëpërmjet këtij ankimi kërkon nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit
që këto mangësi të hetimit administrativ të kryer nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit të mund
të riparohen nga Kolegji gjatë shqyrtimit të çështjes në seancë gjyqësore.
Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë,
ankimi është publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: www.ikp.al.

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe
aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin
kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të
gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: