NGA KLODIANA LALA

TIRANË– Gjykatësja e Apelit për Krime të Rënda, Nertina Kosova, dhe prokurorja Antoneta Sevdari, janë vetëm një hap larg konfirmimit në detyrë. Të martën të dyja dolën përpara Komisionit të Pavarur të kualifikimit, pasi ishin ftuar në seancë dëgjimore publike.

E para që u njoh me gjetjet e trupës gjykuese ishte Kosova, e cila kandidon për një vend në Këshillin e Lartë Gjyqësor. Në Raportin e Komisionit thuhet se gjykatësja e karrierës rezulton pa probleme në të trija shtyllat e vettingut.

Si pasuri e saj u relatua vetëm një apartament i blerë me kredi, të cilën do të vazhdojë ta shlyejë deri në vitin 2030, dhe me të ardhurat e saj dhe të prindërve. Ndërsa nuk është gjetur asnjë lidhje e saj me personazhe nga bota e krimit të organizuar.

Kosova shprehu dakordësi për gjetjet e komisionit dhe kërkoi konfirmimin në detyrë. Ajo tha se gjatë karrierës se saj 20-vjeçare kishte vepruar në respekt të Kushtetutës dhe ligjit.

Pas saj, radha ishte e Antoneta Sevdarit, prokurore e komanduar pranë Prokurorisë së Përgjithshme. Nga hetimi nuk ishin zbulua problematika në pasuritë që zotëronte. E vetmja pikë e diskutueshme ishte fakti se Sevdari nuk kishte bërë apel kundër vendimit të gjykatës, për një ish-zyrtar të lartë, por që nuk është konsideruar shkelje aq e rëndë sa të cënojë figurën e prokurorit.

Vendimi për të dyja pritet të shpallet të mërkurën e 18 korrikut. Po të njëjtën ditë përpara KPK, pritet të dalë prokurori Arben Nela dhe gjykatësi Ervin Metalla.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb