NGA: ORNELA MANJANI
Pronarët që kanë një vlerësim përfun dimtar të vendimeve për kompensim dhe që kanë aplikuar në Agjencinë e Trajtimit të Pronave për të përfituar nga fondi financiar apo fizik duhet të shkojnë në agjenci të plotësojnë formularin tip si dhe dorëzojnë tetë dokumente. Në këtë proces do të përfshihen rreth 4 mijë pronarë, të cilët kanë një vendim përfundimtar vlerësimi dhe që i kanë aplikuar për kompensim në vitet 1993 dhe 1994. Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë së Trajtimit të Pronave, Solina Qato, ka firmosur një udhëzim ku publikohen dokumentet që duhet të plotësojnë pronarët për të marrë paratë.

DOKUMENTET
Pronarët që kanë një vlerësim përfundimtar të vendimeve për kompensim dhe që kanë aplikuar apo do të aplikojnë në vijim pranë ATP-së për t’u trajtuar nga fondi financiar apo fizik, bëjmë me dije se me vendimin e Këshillit të Ministrave, nr.685, datë 28.09.2016 janë miratuar disa ndryshime dhe shtesa në vendimin Këshillit të Ministrave nr.223, datë 23.03.2016 për “Përcaktimin e rregullave dhe të procedurave për vlerësimin dhe shpërndarjen e fondit financiar e fizik për kompensimin e pronave”, në vijim të gjithë subjektet që kanë aplikuar, duhet të depozitojnë pranë ATP-së dokumentet.

Pronarët duhet të dorëzojnë një deklaratë noteriale, të nënshkruar nga subjekti i shpronësuar ose përfaqësuesi me prokurë i të gjithë trashëgimtarëve ligjorë të subjektit të shpronësuar (të cilët përfaqësojnë vullnetin e të gjithë trashëgimtarëve), përmes së cilës subjektet vetëdeklarojnë, nëse vendimi përfundimtar i kompensimit apo vlerësimi i tij është ankimuar apo jo në rrugë gjyqësore, si dhe, nëse këto subjekte kanë qenë apo jo të paditur apo persona të tretë në proceset gjyqësore me objekt ankimin e vendimit për të cilin ata aplikojnë. Gjithashtu, duhet të dorëzohet në ATP një deklaratë noteriale, nënshkruar nga subjekti i shpronësuar, përfaqësuesi me prokurë i të gjithë trashëgimtarëve ligjorë të subjektit të shpronësuar (të cilët përfaqësojnë vullnetin e të gjithë trashëgimtarëve), përmes së cilës subjektet vetëdeklarojnë nëse kanë përfituar apo jo nga dispozitat për ndarjen e tokës bujqësore, si dhe nga kompensimi fizik për vendimin me anë të të cilit aplikojnë.”Aplikuesit duhet të sjellin të saktë konfirmimin për gjendjen juridike të lëshuar nga Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, i cili duhet të përmbajë informacion të plotë për të gjithë numrat e pasurive që përfshihen brenda pronës së njohur për kompensim”- thuhet në njoftimin që mban firmën e Drejtoreshës së Përgjithshme e Agjencisë së Trajtimit të Pronave Solina Qato.

LLOGARITJA
Kompensimi për pronarët për tokën truall, llogaritur sipas zërit kadastral të vitit 1945 dhe hartës së vlerës së tokës që është në fuqi, do të kryhet me para. Kufiri i caktuar nga ligji është 50 milionë lekë për çdo vendim të njohur. Këshilli i Ministrave ka rregulluar me anë të një vendimi kufirin e pagesës në lekë dhe atë të kthimit fizikisht të pronës. Kështu të gjitha vendimet përfundimtare, të vlerësuara financiarisht si tokë truall, përfitojnë kompensim financiar nga fondi financiar i kompensimit, deri në masën 50, sipas shkronjës “a”, të pikës 1, të nenit 8, të ligjit nr.133/2015, dhe pjesa e mbetur nga vlerësimi i vendimit përfundimtar kompensohet fizikisht, nga fondi i tokës. Neni 8 germa “a” e ligjit nr. 133/2015 për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave thotë se subjektet e shpronësuara u nënshtrohen procedurave të kompensimit, sipas përcaktimeve të këtij ligji, bazuar në vendimet përfundimtare për njohje dhe kompensim financiar.

PAGESA
Kërkesat e veçanta për kompensim financiar do të trajtohen sipas kësaj procedure: nga çdo fond vjetor buxhetor i kompensimit financiar, jo më shumë se 1/3 e tij mund të përdoret për kërkesat e veçanta të kompensimit financiar, të gjithë subjektet kërkues, të cilët shprehin vullnetin për t’u kompensuar financiarisht me kërkesë të veçantë, duhet të aplikojnë pranë ATP-së brenda vitit të çeljes së fondit vjetor buxhetor AFATET Në rastet kur ATP-ja konstaton mungesë në dokumentacion, subjektit të shpronësuar i kërkohet plotësimi i dosjes përkatëse, brenda 30 ditëve nga çasti i marrjes së njoftimit për plotësim dokumentacioni. Plotësimet mund të bëhen për të gjitha dosjet e depozituara në ATP për shqyrtim përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji si dhe për kërkesat e paraqitura nga subjektet brenda afatit 90-ditor të përcaktuar në ligj.
(ed.me/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: