Për herë të dytë brenda dy muajsh banorët e Himarës u ngritën në protestë për çështjen e pronave. Ata pretendojnë se tokat preferenciale në anë të detit po u jepen nga pushtetarët në Tiranë dhe ata lokalë njerëzve që s’kanë lidhje me Himarën dhe jo pronarëve të ligjshëm të tyre.

“Himarjotët nuk pajisen me leje ndërtimi ndërsa mafiozët po marrin leje”, thanë banorët.

Në krye të protestuesve ishte Nikollaq Neranxi në cilësinë e kryetarit të Shoqatës për mbrojtjen e Pronave të Himarës. Neranxi tha se po proteston për pronat e veta por dhe gjithë himarjotëve.

Protestuesit pretendojnë se tokat janë të tyret që pa u formuar shteti shqiptar por pas viteve ‘90 ato nuk kanë përfunduar tek të zotët. Ata i kërkuan Ministrit Tahiri dhe ministres Kodheli të lirojnë madje dhe godinat publike si komisariatin dhe Porto Palermon pasi toka u përket qytetareëve të vjetër të Himarës.

Banoret kërkuan dorëheqjen e kreut të bashkisë Jorgo Goro duke e akuzuar atë se nuk e mbajti premtimin e dhënë në fushatë për zgjidhjen e pronave. Ata pritën disa orë për ta takuar kreun e bashkisë por ai nuk i priti.

Banorët artikuluan dhe zgjidhje ekstreme nëse nuk marrin pronat e tyre ndërsa akuzuar kryebashkiakun se qëndron pas autorëve që shkaktuan vdekjen e Aristotel Gumës vite më parë. Ata i dhanë ultimatum Goros të zgjidhë çështjen ose në të kundërt të japë dorëheqjen.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb