TIRANE– Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kallëzuar në Prokurori Drejtuesin dhe 7 Specialistë të Komisionit Vendor të Vlerësimit të Titujve të Pronësisë (Akteve të Marrjes së Tokës në Pronësi) në Prefekturën e Qarkut Korcë.

Po kështu, KLSH ka kallëzuar edhe dy Hartues Projektesh, 1 Mbikëqyrës Punimesh, 1 Drejtues Teknik dhe 1 Administrator Shoqërie zbatuese, për investim pa projekt, preventivim jo real, si dhe për pagesë për punime të situacionuara por të pa kryera, në favorizim të subjektit zbatues, me dëm ekonomik në vlerën 4,5 milionë lekë, në Këshillin e Qarkut Gjirokastër.

KLSH KALLEZON 7 ANETARE TE KOMISONIT TE VLERESIMIT NE QARKUN E KORCES
Kontrolli i Lartë të Shtetit, në zbatim të programit të tij të auditimit nr. 729/1 prot, datë 08.7.2016, ka përfunduar auditimin në Prefekturën e Qarkut Korçë me objekt: “Auditimi i zbatimit të ligjshmërisë dhe rregullshmërisë për periudhën 01.07.2013-30.06.2016”.

Me Vendimin nr. 147, datë 19.12.2016 të Kryetarit të KLSH-së, është miratuar Raporti Përfundimtar i Auditimit dhe me shkresën nr. 729/7, datë 19.12.2016, me qëllim përmirësimin e gjendjes i janë rekomanduar Prefekturës së Qarkut Korçë masa konkrete.

Gjatë auditimit u konstatuan shkelje dhe parregullsi të dispozitave ligjore në fuqi në fushën e vendimmarrjes të Komisionit Vendor të Vlerësimit të Titujve të Pronësisë (KVVTP) dhe konkretisht:

Në 57 raste, nuk kanë bërë kalimin në pronësi të shtetit për tokat e përfituara në kundërshtim me ligjin nga persona fizikë dhe juridikë.

Në 57 raste, të kapërcimi të tagreve ligjore, duke marrë vendime mbi deklarimin e përfundimit të procedimit administrativ për shkak të pamundësive të zhvillimit të mëtejshëm të procedurës hetimore, edhe pse ligji nuk i njeh të drejtën e përfundimit të procedimit administrativ pa një vendimmarrje.

Në 37 raste, nuk kanë bërë kallëzimin penal në organet e drejtësisë, ndaj komisioneve të ndarjes së tokës, për sipërfaqen prej 8.4 ha, të cilët kanë tejkaluar kompetencat ligjore, duke ndarë tokë bujqësore më shumë se norma për frymë, në dëm të interesave të shtetit.

Në 37 raste, për dorëzimin në mënyrë fiktive të tokave të kaluara në pronësi të shtetit, pasi toka vazhdon të përdoret nga persona të cilët e kanë përfituar në mënyrë të paligjshme.

Në 6 raste, për sipërfaqen prej 43.1 ha, për lejimin e poseduesve të titujve të pronësisë të gëzojnë të pacënuar tokën e përfituar në kundërshtim me ligjin edhe pse Këshilli i Qarkut Korçë ka konfirmuar se Aktet e Marrjes së Tokës në Pronësi (AMTP) janë dhënë brenda vijave kufizuese të qytetit të Korçës, miratuar me vendim të KRRTRSH-së nr. 3, datë 04.02.1994, “Për përcaktimin e vijave kufizuese të qytetit të Korçës” pra nuk janë objekti i ligjit “Për tokën”.

Në 4 raste, për sipërfaqen prej 2200 m2 të lejimit të përfituesve të AMTP-ve të gëzojnë të pacënuar tokën e përfituar në kundërshtim me ligjin, kur toka rezulton në zërin kadastral “Tokë Truall”, “Mal” apo “Gjemb”, pra jo objekt i ligjit “Për tokën”.

Në 2 raste, nuk ka marrë vendim për kalimin në pronësi të shtetit të sipërfaqes së tokës prej 1050 m2, përfituar më tepër se përcaktimet e ligjit “Për tokën”.

Në 2 raste, të lejimit të përfituesve të AMTP-ve të gëzojnë të pacënuar tokën e përfituar në kundërshtim me ligjin, kur toka rezulton në zërin kadastral “Tokë e Pa Frytshme”, pra jo objekt i ligjit “Për tokën”.

KLSH, duke i konsideruar veprimet e kryera nga S.K. me detyrë Drejtues i KVVTP; H.G. E.R. O.G. J.D. L.S. E.Ç. G.H, me detyrë Specialistë të KVVTP, në shkelje të ligjit nr. 9948, datë 07.07.2008 “Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore”, VKM nr. 1269, datë 17.09.2008 “Për përbërjen, mënyrën e funksionimit dhe detyrat e përgjegjësitë e strukturave shtetërore, të ngarkuara për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore” dhe VKM nr. 224, datë 19.02.2009 “Për

procedurat e krijimit të Akteve të marrjes së tokës bujqësore në pronësi, si pasojë e korrigjimeve të kryera nga Komisioni Vendor i Vlerësimit të Titujve të Pronësisë”, dhe si veprime me pasoja të rënda për interesat e ligjshme të shtetit dhe të dënueshme sipas ligjit nr. 7895, datë 27.01.1995 “Kodi Penal i RSH”, me shkresën nr. 729/8 datë 19.12.2016, ka bërë kallëzim pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor, Korçë, për konsumimin e elementëve të figurës së veprave penale të “Shpërdorimit të detyrës” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

KALLEZIMI I KLSH PER DY HARTUES PROJEKTESH NE GJIROKASTER
KLSH Kallëzon në Prokurori 2 Hartues Projektesh, 1 Mbikëqyrës Punimesh, 1 Drejtues Teknik dhe 1 Administrator Shoqërie zbatuese, për investim pa projekt, preventivim jo real, si dhe për pagesë për punime të situacionuara por të pa kryera, në favorizim të subjektit zbatues, me dëm ekonomik në vlerën 4,5 milion lekë, në Këshillin e Qarkut Gjirokastër.

Kontrolli i Lartë të Shtetit, në zbatim të programit të tij të auditimit nr. 1021/1 prot, datë 11.10.2016, ka përfunduar auditimin në Këshillin e Qarkut Gjirokastër, me objekt: “Auditimi i zbatimit të ligjshmërisë dhe rregullshmërisë financiare për periudhën 01.01.2013-30.06.2016”.

Me Vendimin nr. 164, datë 26.12.2016 të Kryetarit të KLSH-së, është miratuar Raporti Përfundimtar i Auditimit dhe për përmirësimin e gjendjes, me shkresë nr. 1021/8, datë 26.12.2016 i janë rekomanduar Këshillit të Qarkut Gjirokastër masa me karakter organizativ dhe shpërblimin e dëmit të shkaktuar në vlerën totale 5,2 milion lekë.

Gjatë auditimit u konstatuan shkelje dhe parregullsi të dispozitave ligjore në fuqi në fushën e projektimit dhe zbatimit të prokurimit publik, lidhur me hartimin e projektit dhe zbatimin e punimeve “Riparime në segmentin rrugor Progonat-Tepelenë, Fshati i Vjetër dhe Hosi Zallit”, dhe konkretisht:

Kanë preventivuar më shume në fondin limit vlerën 4,591,888 lekë pa t.v.sh; është përfituar tepër nga ana e zbatuesit të punimeve vlera 4,554,052 lekë pa t.v.sh me dëm ekonomik ndaj buxhetit; Projektet dhe preventivët nuk janë hartuar në bashkëpunim me inxhinierë gjeologë dhe janë kryer pa studim gjeologo-inxhinierik të rrëshqitjeve; Nuk kanë përcaktuar saktë volumet e nevojshme për tu gërmuar si dhe nuk kanë kryer sondazhe për saktësimin e planit të qëndrueshëm.

Mos kryerja e detyrimeve të mësipërme ka bërë që punimet të kryhen tre herë rishtazi, të mos japin garanci të mjaftueshme për qëndrueshmërinë e shpateve, shkarje të vazhdueshme dhe shembje të skarpateve, dhe investimi në vlerën prej 26,061,993 lekë, është përdorur pa efektivitet, eficiencë dhe ekonomicitet, në kundërshtim me nenet 4, 5, 7 dhe 12 të ligjit nr. 8402, datë 10.09.1998 “Për Kontrollin dhe Disiplinimin e Punimeve të Ndërtimit” pikat 2, 3 dhe 9 të VKM nr. 514, datë 15.08.2007 “Për informatizimin e llogaritjes së kostos dhe hartimin e manualeve teknike të çmimeve të punimeve të ndërtimit”, pikën 1 të UKM nr. 1, datë 16.06.2011 “Për mbikëqyrjen dhe kolaudimin e punimeve të ndërtimit”.

KLSH, duke i konsideruar veprimet e kryera nga F.J. dhe G.M. në cilësinë e Hartuesit të Projekt-Preventivit të punimeve dhe A.P. në cilësinë e Mbikëqyrësit të Punimeve, si veprime me pasoja të rënda për interesat e ligjshme të shtetit dhe të dënueshme sipas ligjit nr. 7895, datë 27.01.1995 “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë”, neni 248 “Shpërdorimit të detyrës”, si dhe veprimet e kryera nga E.H. në cilësinë e Drejtuesit Teknik të shoqërisë zbatuese dhe E.Q. në cilësinë e Administratorit të shoqërisë zbatuese, si veprime të dënueshme sipas nenit 186 “Falsifikimit të dokumenteve”, 143 “Mashtrimit”, si dhe nenit 25 “Kuptimi i Bashkëpunimit”, të Kodit Penal, me shkresën nr. 2021/11 datë 30.12.2016, ka bërë kallëzim pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor, Gjirokastër.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: