TIRANË- Partia Republikane ka reaguar pas përplasjeve të vazhdueshme në bashkinë e Himarës mes banorëve dhe pushtetit vendor e qendror për çështjen e pronave.

Kreu i PR-së, Fatmir Mediu dënoi dhunën mbi banorët e Himarës dhe kërkon kthimin e pronave në bregdet dhe gjithë Shqipërinë.

“Partia Republikane dënon çdo formë të dhunës qeveritare mbi banorët e Himarës dhe gjithë bregdetit. Kërkojmë kthimin e pronave në bregdet dhe mbarë Shqipërinë, si një e drejtë legjitime e banorëve të këtyre zonave që i kanë ndërtuar dhe trashëguar këto prona ndër shekuj. Partia Republikane kërkon të regjistrohen të gjitha pronat e pronarëve të ligjshëm, shtëpi apo prona të tjera në Himarë, e gjithë bregdetin, të hipotekohen dhe pajisen me certifikatat e pronësisë. Është e turpshme kur nga njëra anë qeveria legalizon paligjshmërinë dhe atyre familjeve që e kanë pronë prej shekujsh nuk ja njeh”, deklaroi Mediu.

Ai kërkoi që të ndalet çdo projekt shkatërrues në emër të interesit publik korruptim që cenon pronën legjitime dhe i shërben vetëm interesave korruptive të pushtetit.

“Çdo plan zhvillimi ka nevojë për gjykimin dhe mbështetjen e komunitetit. As kryeministri dhe askush tjetër nuk ka të drejtë të sillet si pronar me pronat e bregdetasve”, tha Mediu.

Kreu i PR-së tha se kjo perlë e natyrës shqiptare me potenciale të jashtëzakonshme për zhvillimin e turizmit do të zhvillohet vetëm atëherë kur prona të shkojë tek i zoti, por njëkohësisht, duke ruajtur vlerat historike. “Betonizimi dhe babëzia kanë shkatërruar ato pak vlera historike që i kanë ngelur vendit tonë dhe kjo është fatkeqësi kombëtare”, theksoi Mediu.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb