Drejtoresha e Drejtorisë së Përgjithshme të Pronësisë Industriale, Ledina Beqiraj, foli në një lidhje me “Skype” për News24 lidhur me Ditën Botërore të Pronësisë Intelektuale, që u shënua ditën e djeshme.

Beqiraj tha se institucioni që ajo drejton harton çdo vit një kalendar për të bërë fushatë ndërgjegjësimi në të gjithë vendin, dhe këtë vit zgjodhi pikërisht si temë inovacionin për të përmirësuar cilësinë e jetesës, për një të ardhme të gjelbër.

“Çdo fillim viti kjo drejtori harton një kalendar për të bërë një fushatë ndërgjegjësimi në të gjithë Republikën e Shqipërisë mbi rëndësinë që ka kjo fushë, pasi regjistrimi i objektit sjell mundësinë e benefiteve, që ka krijimtaria e gjithsecilit. Çdo 26 prill, që prej vitit 2000, lancohet një fushatë e caktuar. Këtë vit ishte për një të ardhme të gjelbër. Kishim planifikuar aktivitete, por u shtyn për shkak të pandemisë”, tha Beqiraj.

A ka aplikime për marka apo patenta në Shqipëri?
Patjetër që ka. Që nga viti 1993 e deri më tani këto statistika janë gjithnjë e në rritje. Kjo jo vetëm për biznesin shqiptar, por edhe për biznesin e huaj, që ka shfaqur interes. Në momentin që regjistron markën tënde, zbulimin tënd, është e rëndësishme, sepse merren edhe benefitet ekonomike.

Si i mbroni të drejtat e pronësisë intelektuale?
Këto të drejta kryhen përmes regjistrimit të pronësisë industriale. Regjistrimi i këtyre të drejtave, administrimi i këtyre të drejtave, garanton mbrojtjen e të drejtave të një pronësie. Në Shqipëri, kjo bëhet me anë të institucioneve ligjzbatuese, që kontribuojnë në parandalimin e situatave konfliktuale apo në kthim në vend të të drejtës së cenuar.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb