Gazetari Ermal Peçi e cilësoi protestën qytetare si një nga lëvizjet më të qëndrueshme të viteve të fundit, duke theksuar se ajo ka nxjerrë në pah problemet reale të vendit dhe ka detyruar politikën të ndryshojë qasje.
Sipas tij, veprimet e Policisë së Shtetit nuk kanë qenë në përpjesëtim me ato të protestuesve, ndërsa kritikoi përdorimin e efektivëve civilë në shoqërimin e qytetarëve.
“Veprimet e policisë nuk justifikohen nga ato të protestuesve. Sjelljet agravuese mund të kuptohen në kushtet e gjendjes së vendit, por anatemimi i qytetarëve është i papranueshëm. Kemi parë qytetarë që janë shoqëruar nga civilë dhe më pas janë afruar policët. Kjo është një prepotencë që ngre shumë pikëpyetje,” u shpreh Peçi.
Ai tha se protesta është ushqyer nga klima politike dhe nga gjuha përçarëse e kryeministrit Edi Rama, duke shtuar se qeveria shmang debatet për korrupsionin, koston e jetesës, mungesën e meritokracisë dhe menaxhimin e pronës publike.
Duke folur për reagimet e kryeministrit, Peçi u shpreh se Rama ka zgjedhur të sulmojë protestuesit në vend që të ofrojë zgjidhje konkrete për qytetarët.
“Nuk kam parë kryeministër që të etiketojë çdo protestues dhe të merret me jetën e tyre. Nuk ka një paketë për rritjen e pagave apo luftën kundër korrupsionit, por merret me protestuesit,” deklaroi ai.
Sa i përket ndikimit të protestës në turizëm, gazetari hodhi poshtë pretendimet se demonstratat po dëmtojnë sezonin turistik. Sipas tij, turistët rezervojnë pushimet muaj përpara dhe problemet kryesore të sektorit lidhen me mungesën e infrastrukturës dhe strategjisë së zhvillimit
.
“Protesta duhet të udhëhiqet nga dashuria për Shqipërinë, që nga problematikat e qeverisë, Enchro Chat, ujin, nëse sheh lart sheh vetëm depozita ne blemë ujë jashtë. Nëse sot marrim një fletë 80-90% e rrogës na ikën për kostot minimale. Rama nuk ka dot metodologji komunikimi përballë problematikave. Rama përdori çdo metodologji në fillim ndërhyrjet e jashtme, nxori armiq të jashtëm si Enver Hoxha, pastaj dëmtimi i turizmit.
Ky duhet të jetë një diskutim serioz, është e pavërtetë nuk dëmtohet.
Së pari të huajt prenotojnë 6 muaj para dhe
Së dyti ka filtra nga agjencitë
Së dyti kemi rivalë realë si Mali i Zi dhe Greqia, për t’i mundur duhet të kesh infrastrukturë.
Duhet të bëjmë këtë analizë turizmin e dëmtojnë rrugët e lëna rrugëve, mungesa e një strategjie.
Nëse qëndrohet kështu Rama do të detyrohet të reflektojë. Nuk ka nevojë të agravohet”, tha ai.
Peçi e konsideroi protestën si një fenomen të paprecedentë në 36 vitet e demokracisë shqiptare.
“Është hera e parë që një protestë zgjat 54 ditë me këtë konsistencë dhe flet për problemet reale të qytetarëve. Kërkesat duhet të jenë të qarta dhe të fokusohen te drejtësia dhe shteti ligjor,” tha ai.
Në analizën e tij për opozitën, Peçi u shpreh se Partia Demokratike po përpiqet t’i afrohet protestës, por nuk ka arritur ta përvetësojë atë.
“Edhe sot dëgjoheshin thirrjet ‘Rama në burg, Berisha në burg’. Berisha nuk mund ta sulmojë protestën, sepse ajo flet për hallet e qytetarëve, por as nuk ka arritur të krijojë bashkëpunim me të,” u shpreh gazetari.
Ai shtoi se si mazhoranca ashtu edhe opozita ndajnë shqetësime të përbashkëta për drejtësinë, ndërsa vlerësoi punën e SPAK-ut, duke kërkuar që goditja ndaj korrupsionit të shoqërohet edhe me konfiskimin e pasurive të fituara në mënyrë të paligjshme.
“Institucionet e drejtësisë nuk i paragjykoj, por duhet të shohim se SPAK ka vepruar shumë mirë. Kërkesa ime është që t’ju konfiskohet pasuria, pas arrestimit me qëllim që të investohen në rrugë, kopshte dhe çerdhe. Mendoj se duhet të veprojë edhe më fort, por ka procedura që ai që na ka vjedhur të mos dalë i pafajshëm. Në vijim do të kemi zhvillime sepse janë edhe vetë afatet, si me Ballukun dhe AKSHI-n ka vepruar kur s’e prisnim. Është qetësia para stuhisë” tha ai.
