Aktivisti Edison Lika ka mbajtur një fjalim gjatë protestës së 135-të kundër qeverisë, ku ka akuzuar deputetët e mazhorancës se veprojnë në interes të kryeministrit Edi Rama dhe jo për interesa të qytetarëve.
Në fjalën e tij para protestuesve, Lika përdori tone të ashpra ndaj deputetëve të Kuvendit, duke i cilësuar ata si të bindur ndaj kryeministrit.
Në vijim, aktivisti kritikoi kryeministrin Rama, duke pretenduar se qeveria nuk e ka vlerësuar siç duhet vendosmërinë e qytetarëve që kanë protestuar për 135 ditë.
Lika theksoi se protestuesit do të vazhdojnë qëndresën e tyre deri në realizimin e kërkesave për ndryshim politik dhe largimin e qeverisë.
“Nuk ka deputetë parlamenti shqiptar, por thjesht ka robër të Edi Ramës. Ata janë thjesht punëtorët e bindur të kryeministrit Edi Rama. Ditën e sotme kishte vizitë ministri i Jashtëm izraelit, dhe shprehej se ka ardhur në Shqipëri për marrëveshje të përgjithshme. Por secili shqiptar meriton të dijë se çfarë marrëveshjesh janë arritur dhe çfarë është firmosur në kurriz të shqiptarëve.
Kryeministri mendon se është i përjetshëm, por ai dhe qeveria e tij e ka gabim sepse këta qytetarë që kanë dalë për 135 ditë janë të gatshëm të sakrifikojnë deri në rrëzimin e atij krimineli”, tha aktivisti Edison Lika në protestën e 135 kundër qeverisë.
