Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka kujtuar sot protestën e 2 prillit të vitit 1991.
Në një postim në rrjetet sociale, Basha ka kujtuar viktimat në Shkodër dhe theksoi se regjimi edhe pse ishte në fundin e tij, sërish goditi pa mëshirë të gjithë ata që donin ndryshim dhe një Shqipëri si e gjithë Europa.
Kryedemokrati shtoi se edhe pse kanë kaluar 33 vite nga ngjarja e rëndë, e keqja përsërit vetveten.

Postimi i plotë:
Protesta e 2 prillit 1991 dhe masakra që pasoi është një ngjarje e përmasave epokale, që tregon se përmbysjet e mëdha nuk mund të realizohen pa sakrifica të mëdha. Ndonëse regjimi ishte duke dhënë shpirt, ai ishte i gatshëm të godiste pa mëshirë të gjithë ata që donin ndryshim dhe një Shqipëri si e gjithë Europa.

Përulje të thellë dhe nderim të përjetshëm për lulen e rinisë shkodrane, Arben Brocin, Bujar Bishanakun, Nazmi Kryeziun dhe Besnik Cekën, martirizimi i të cilëve shënjoi nisjen e një ndryshimi rrënjësor, që sa më shpejt të ndodhte aq më mirë do të ishte për të gjithë shqiptarët.

Edhe pse kanë kaluar 33 vite, duket se e keqja përsërit vetveten, ndaj ngjarje të tilla duhet të na shërbejnë si përkujtim se për Lirinë dhe Demokracinë duhet të shkojmë në betejë përditë.

Kjo datë është një kambanë e përhershme dhe një thirrje e pandalshme se asnjëherë nuk duhet të rreshtim së përpjekuri për t’i tharë rrënjët e së keqes, duke i shkulur një herë e përgjithmonë, dhe duke mbjellë farën e së mirës për një shoqëri dhe komb që e ka të domosdoshëm ndryshimin dhe përtëritjen.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: