Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, e cilësoi 22 Marsin si ditën e çdo shqiptari të lirë, duke bërë thirrje për mobilizim qytetar ndaj qeverisë në protestë.
Në postimin e tij, Blushi thekson rëndësinë e kësaj dite: “Është dita kur qytetarët ngrihen pa frikë për dinjitetin e tyre, për të ardhmen e fëmijëve të tyre, për barazinë para ligjit që na është mohuar çdo ditë!”, shkruan ai.
Ai kritikoi ashpër qeverinë, duke e akuzuar për arrogancë dhe padrejtësi: “Mjaft më me një pushtet që sillet si pronar i Shqipërisë! Asnjë hap pas!”, nënvizon Blushi, duke nxitur qytetarët të shprehin zemërimin e tyre.
Sekretari i Partisë së Lirisë bën thirrje për protesta të gjera në rrugët dhe sheshet e kryeqytetit: “Le të shpërthejë revolta qytetare në çdo rrugë dhe çdo shesh të Tiranës! Le të dëgjohet fort zemërata dhe përçmimi ynë ndaj një qeverie që ka tradhtuar qytetarët dhe ka rrënuar besimin tek shteti!”
Mesazhi i tij përfundon me një apel të drejtpërdrejtë për pjesëmarrje aktive: “22 Marsi është dita kur populli flet. Dhe askush nuk mund ta ndalë! Protesto! Reago! Mos hesht!”
