TIRANE

Opozita po proteston para Kuvendit. Nga protesta ish-deputetët e opozitës, Klevis Balliu, Endrit Braimllari dhe Nora Malaj u shprehen se kryefjala e demostratës është largimi i kryeministrit Edi Rama.


“Ndaj sot jemi këtu për t’i thënë: Rama ik”, tha Balliu. Nga ana tjetër deputetja Nora Malaj u shpreh se së bashku me protestuesit nuk do të largohet pa nxjerrë deputetët jashtë Kuvendit.


“Përshëndetje jemi këtu, përballë një parlamenti ilegjitim që nuk përfaqëson asnjërin këtu. Ne këtu jemi qytetarë të ndershëm, kërkojmë të drejtën dhe lirinë e shqiptarëve. Nuk do largohemi kurrë pa nxjerrë ata  deputetët të paligjshëm në Kuvend”, tha Malaj.


Ish-deputeti i LSI-së Endrit Braimllari tha se ky parlament nuk është më parlamenti i Shqipërisë, por është godina e parave të drogës, e parave të krimit dhe hajdutërisë së Edi Ramës dhe godina e tradhtarëve të Shqipërisë.

“Të nderuar qytetarë të Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë. Ai nuk është Parlamenti i Shqipërisë. Edi Rama dhe Rilindja kanë shteruar atë godinë të parlamentarizmit shqiptar. Sot në atë godinë janë paratë e drogës, paratë e krimi dhe hajdutërisë së Edi Ramës dhe tradhtarëve të Shqipërisë. Nuk dua të flas këtu për tradhtarët, sepse për ata do të ketë kohë. Do merremi ne, do merret dhe historia sepse historia i dënon tradhtarët dhe Shqipëria i ka dënuar. Edi Rama ka varfëruar Shqipërinë, për shkak të politikës së tij klienteliste. Sot shqiptarët janë më të varfër se kurrë, sepse nuk kanë mundësi punësimi, nuk kanë mundësi arsimi. Sot Edi Rama futi banditë në Parlament, por siç ka futur banditë në Parlament mban peng qytetet e Shqipërisë me krimin e organizuar. Ai sot ka vepruar siç veproi në zgjedhjet e 2017. Me para, me paratë e drogës, me kriminelë deformoi vullnetin, po me para droge, po me kriminelë po i bën presion shqiptarëve. Shqiptarët nuk do t’ia falin. Sepse shqiptarët janë një komb i denjë, janë një komb punëtor që duan të investojnë në këtë vend, duan të punojnë këtu. Ne do ta bëjmë Shqipërinë shtëpinë tonë.”- tha Braimllari.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb