KOSOVË- Pas ngjarjeve të fundit në Prishtinë Policia e Kosovës dhe Prokuroria kanë dalë në një konferencë të përbashkët për shtyp.

Drejtori i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni në një konferencë të jashtëzakonshme bashkë me kryeprokurorin e shtetit, Sylë Hoxha, ka thënë se protesta e sotme ka kaluar në dhunë pasi protestuesit nuk i janë përmbajtur qetësisë, duke cenuar rendin dhe sigurinë publike.
Sipas Maxhunit në protestë janë të lënduar 56 policë rëndë dhe lehtë.
“Një nga policët është lënduar rëndë në kokë, kurse një tjetër në dorë. Të tjerët kanë marrë lëndime të shumta në trup”, ka thënë Maxhuni.
Ai ka shtuar se policia ka reaguar në varësi të situatës së krijuar.

“Janë shoqëruar mbi 100 persona”, ka thënë ai, duke shtuar se policia do të reagojë në bazë të mandatit të saj ligjor për ruajtjen e sigurisë dhe rendit publik.

Policia ka vepruar në përputhje me ligjin dhe situatën në të cilën ndodhej. Sipas tij policia u përball me protestues të dhunshëm. “Policet e Kosovës kanë një mandat. Ata obligohen të ruajnë qytetarët e Kosovës. Policia ka vepruar në përputhje me ligjet e Kosovës. Apeloj qytetarët se policia do të njohë dhe respektojë të drejtat e qytetarëve. I ftoj qytetarët të shmangen nga dhuna”, deklaroi Maxhuni.

“Policia nuk ka përdorur forcë të tepruar ndaj protestuesve. Pas çdo veprimi bëjmë analizën dhe mbikëqyrim punën e policisë. Deri tani nuk kemi konstatuar asnjë veprim të gabuar nga ana e forcave të policisë”, tha drejtori i Policisë së Kosovës.

Maxhuni deklaroi se pasi të kryhet analiza e hollësishme e situatës do të dali në pah detaje të tjera të kësaj ngjarje të dhunshme.
(a.h/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb