Protestat 20 ditore që kanë pushtuar Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe rrugët e Tiranës, tashmë janë shndërruar në një lëvizje politike dhe qytetare. Ç’ka në thelb janë pak a shumë e njëjta gjë. Qytetarët kanë pushtuar hapsirën publike duke nxjerrë në periferi aktorët tradicionalë politikë duke i patur si target për t’i larguar nga skena politike. Deri këtu lëvizja është e qartë. Kërkohet ndryshim I establishmentit politik që në krye të cilit qëndrojnë dy figurat kryesore të tranzicionit: Edi Rama dhe Sali Berisha. Përkatësisht njëri prej 36 vitesh dhe tjetri prej 27 vitesh në politikë.
Por historia e kësaj lëvizjeje as nuk fillon e as nuk mbaron me antagonizmin ndaj këtyre dy emrave. Ajo mbart në vetvete dhe mesazhet e forta e të qarta përmes thirrjeve për ndryshim të mënyrës se si qeveriset vendi e po ashtu si i bëhet dhe opozitë qeverisë. Pra i adresohet sistemit politik qartësisht të dështuar në tërësinë e vetë! Vendi qeveriset keq, ndërsa opozita nuk kryen praktikisht asnjë rol kontrollues. Çdo gjë shkon keq. Opozitës këtë qëndrim protestuesit janë kanë plasur fytyrës fjalë për fjalë me parrullën “opozitë e shitur”, që në ditën e dytë në dyert selisë së PD. Ndërsa qeverisë me brohorimat kumbuese “Rama jepe dorëheqjen” bash 17 ditë përballë zyrës së Kryeministrit, i cili ka ulur grilat e s’dihet se nga bredh përveçse në zyrë. E pra, sheshet e kryeqytetit kanë shpallur kapitullimin e sistemit politik, dhe kjo është fitorja e parë.
Por si erdhëm në këtë pikë? A ishte ky një reagim i papritur masiv, apo Shqipëria erdhi gradualisht në këtë krizë që detyroi rininë shqiptare në masë të dilte shesheve për tu vënë emrin e vet? Pa dyshim që ka ndodhur kjo e dyta. Pasi prej vitesh korrupsioni dhe krimi i organizuar po shkëlqejnë mbi konkurencën e lirë, barazinë para ligjit e meritokracinë, duke krijuar një hendek tashmë dramatik mes shumicës dërrmuese të njerëzve normalë dhe dhunuesve të sistemit që duhet tu garantonte këto kushte.
Një kastë politiko-kriminalo-ekonomike që i ka marrë frymën lirisë së individëve për të aspiruar normalitet në një vend të lirë dhe shoqeri të drejtë. E mesa duket boll është boll! Dhe shenjat ishin dhënë gjatë gjithë vitit të fundit, që nga 160 mijë votat që shkuan për partitë e reja në 11 maj të 2025, e deri tek bojkoti masiv i zgjedhjeve të pjesshme të 9 nëntorit të po atij viti. Por kasta nuk dëgjoi dhe vijoi zakonet e veta. Rritje e kontrollit mbi shumicën absolute të shoqerisë përmes mekanizmave anti-demokratik e anti-ligjorë, që po shpërfaqet me përpasjen mes mazhorancës e SPAK në rastin Balluku. Sa për Kushtetutën, atë e kanë përdhosur me kohë në mënyrë konsensuale të dyja partitë e mëdha prej vitit 2008.
Por ja që ca flamingo të pafajshëm që ndalojnë cdo vit në Zvërnec, e ca idiotë më uniforma policie shtetërore e private, shpërthyen krizën që ishte mbledhur prej kohësh në kokat e lodhura të rinisë e shumicës së shoqerisë që po i mbështet protestat. Një krizë që është bijë e tradhëtisë së madhe të elitës së vendit ndaj revolucionit demokratik të 1990 dhe Kushtetutës të 1998, e cila synoi të kthente sistemin demokratik në shina 8 vjet më vonë, fill pas kriës së rëndë të 1997. Dy ngjarje që synuan vendosjen e sistemit demokratik dhe tregut të kirë si aspirate të cdo vendi perëndimor, sic zgjodhën shumica dërrmuese në 1992. Por cfarë ndodhi më pas, ishte pikërisht zakoni i përhershëm i sabotimit nga elita drejtuese e këtyre kolonave që do e mbanin shoqerinë në bashkëjetesë.
Dhe ja ku jemi sërish në rrugë, aty ku qytetarët kanë vendosur sërisht të rikthejnë sistemin në normalitet. Por këtë herë lëvizja ka tre opsione. I pari që reklamohet përmes thirrjeve “revolucion”. I dyti për disa kërkesave të arsyeshme që kërkojnë reforma. Dhe e treta që duket dhe më realistja, restaurimi I demokracisë dhe tregut të lirë. Por cili nga skenarët është më koherenti dhe më pranë nevojave të shoqërisë që po ulëret për ndryshim?
Revolucioni pavarësisht se tingllon më idealist, është mbase një opsion i pavend. Pasi revolucionet thërrasin për ndryshimi forme qeverisëse. E për sa kohë republika kushtetuese është e vetmja aspiratë përkundër komunizmit apo monarkive, revolucioni autentik nuk është një opsion. Por ka dhe raste të ngjashme më situatën tonë, sic është ai anglez që në fakt nuk ishte një revolucion në kuptimin klasik të fjalës si ai amerikan apo francez. Pasi vërtët vendosi në fuqi Monarkinë Kushtetuese përpos ekzekutimit të mbretit Charles i Parë, por nga ana tjetër konfirmoi të drejta dhe liritë që e drejta zakonore angleze i kishte njohur qytetarëve të vet prej shekujsh që në kohën e Magna Carta.
Një fitore që kaloi përmes vitesh lufte civile e që u konkludua me Revolucionin e Lavdishëm të 1688-1689, me largimin nga froni të James-it të Dytë. Pra një gjysem restaurim dhe një gjysëm revolucion që zgjati disa dekada. Rasti ynë nuk është ky. Por disa ngjashmëri ekzistojnë, pasi qasja absolute e arrogante e kupolës politike të tranzicionit, lë pak vend për dyshime për nevojën e një shkundjeje të fortë. Shkundje që më së paku duhet të largojë protagonistët e kësaj gjysëm autokracie nga skena politike. Jo me gijotinë natyrisht, por përmes një procesi politik që largon nga drejtimi autorët e zbatuesit e krizës së rëndë ku ndodhemi. Edhe me koston e mbajtjes së përgjegjësië penale për shkeljet e panumërta të ligjit.
Ndërsa elemeti reformues i lëvizjes është po aq i domosdoshëm por edhe po aq i pamjaftueshëm nëse nuk shoqërohet me përmbysje të elitës. Sepse kriza e sotme kërkon reformim të thellë të sistemit qeverisës, duke filluar nga kthimi në normalitet i cështjes së pronës, qeverisjes lokale, e disa sektorëve kyc si shëndetësia, arsimi, prokurimet, investimet e deri tek sistemi i parandalimit të pastrimit të parave të pista të krimit dhe korrupsionit. Nëse shoqeria shqiptare vuan sot prej polarizmit dhe padrejtësisë si sistem, kato janë shkaqet e prekshme të krizës.
Dhe në fund kemi dhe opsionin e restaurimit, ç’ka është po aq me vend sa dy të parat. Restaurim të rendit kushtetues të vitit 1998, që përcaktoi qartë ndarjen e pushteteve dhe liritë e të drejtat natyrore, politike e ekonomike të qytetarëve. Kushtetuta e 1998 është padyshim dokumenti më demokratik i prodhuar në 114 vjet të shtetit shqiptar. Ndaj kthimi tek ajo kornizë institucionale është domosdoshmëri nëse duam një vend ku të dominojë demokracia dhe tregu i lirë.
E pra asnjë nga opsionet nuk është i mjaftueshëm e mbase të treja njëherësh janë zgjidhja. Nuk ka rëndësi si do ta quajmë atë që ka nisur në Zvërnec e me shumë gjasa do përfundojë në Kuvendin e Shqipërisë. Rëndësi ka që të ketë qartësi. Ata që e cuan vendin në këtë pikë pa kthim kanë qënë të qëllimshëm për shkak të pushtetit të padrejtë që akumuluan. Qytetarët duhet jenë po aq të qëllimshëm e të vendosur në synimin e tyre të mirë. Pavarësisht se si do quhet kjo që po ndodh: revolucion, reformim apo restaurim. Ajo që do mbetet me shumë gjasa, është fitorja e vullnetit të shumicës mbi elitën e tranzicionit!
