Eurodeputetja e Grupit të të Gjelbërve në Parlamentin Europian, Cristina Guarda, ka deklaruar se protestat qytetare në Shqipëri po dërgojnë një mesazh të qartë edhe për institucionet e Bashkimit Europian, të cilat sipas saj nuk mund ta vlerësojnë situatën në vend vetëm mbi bazën e raporteve zyrtare.

Në një intervistë për News24, Guarda u pyet nëse protestat e vazhdueshme mund të ndikojnë në procesin e integrimit europian të Shqipërisë.

“Në vitet e fundit, si anëtare e Parlamentit Europian dhe e delegacionit, i kam bërë edhe disa pyetje me shkrim Komisionit Europian, gjithashtu në lidhje me aeroportin e Vlorës, dhe kemi bërë shumë takime duke folur edhe për sundimin e ligjit, respektimin e sundimit të ligjit. Dhe ndjeva se ndoshta nuk kishte aq shumë vëmendje nga Komisioni për këto çështje. Pra, mendoj se protestat po e bëjnë të qartë se Bashkimi Europian dhe Komisioni nuk mund ta analizojnë situatën vetëm duke lexuar dokumentet, por duke dëgjuar edhe funksionarët dhe zyrat që janë këtu dhe duke mbledhur dhe duke punuar për të përmirësuar cilësinë e politikave”, tha ajo.

Lidhur me raportimet për korrupsionin, klimën e biznesit dhe funksionimin e shtetit të së drejtës, eurodeputetja theksoi se këto janë çështje që ndiqen me shumë seriozitet nga Bashkimi Europian.

“E di se kush po kujdeset për procesin e zgjerimit të BE-së, po kujdeset thellësisht për respektimin e ligjit dhe kjo është padyshim e ndërlidhur me pyetjen tuaj. Për këtë arsye duhet të them se është shumë e rëndësishme për të gjithë. Gjithashtu, sepse analizat nga Komisioni mbi respektimin e sundimit të ligjit në të gjithë Evropën janë mjaft mbresëlënëse dhe ata i japin shumë rëndësi respektimit të shtetit të së drejtës. Respektimi i shtetit të së drejtës është me rëndësi jo vetëm për vendet aspirante, por edhe për vendet që janë anëtare të Bashkimit Europian”, u shpreh Guarda.

E pyetur për akuzat për korrupsion ndaj zyrtarëve të lartë në Shqipëri dhe hetimet e SPAK-ut, Guarda tha se këto zhvillime monitorohen nga afër.

“Ne folëm edhe për korrupsionin në raportin tonë të fundit, kështu që po i ndjekim me shumë vëmendje edhe rezultatet e SPAK-ut”, tha ajo.

Mbi lirinë e medias, duke komentuar rastin e News24, eurodeputetja shprehu keqardhje dhe tha se do ta ndjekë çështjen në takimet që do të zhvillojë në Bruksel.

Erion Kaçorri: Parlamenti Evropian shpesh ka ngritur shqetësime në lidhje me lirinë e medias. Ju po jepni një intervistë në një televizion të rëndësishëm informues dhe kritik ndaj qeverisë, e cila u mbyll në mënyrë arbitrare një vit më parë, dhe gazetarët e Neës 24 u nxorrën jashtë. Si e vlerësoni këtë zhvillim?

Cristina Guarda: Më vjen shumë keq për ju. Dhe do ta analizoj situatën kur të kemi takime edhe me zyrat tona që po kujdesen për respektimin e ligjit dhe të gjitha kapitujt e tjerë në Bruksel.

Erion Kaçorri:A mendoni se çështjet e lirisë së medias mund të ndikojnë në progresin e integrimit evropian?

Cristina Guarda: Nuk e di saktësisht sepse nuk jam eksperte në këtë fushë. Ajo që mund të pranoj është se edhe në përvojën time personale, në Itali dhe duke parë lirinë e gazetarëve në të gjithë botën, mendoj se kjo është një nga gjërat më të rëndësishme për të cilat duhet të kujdesen institucionet e BE-se.

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb