TIRANE

Pas protestave të shoqëruara me tensione dhe përplasje nga ana e demostruesve të opozitës dhe policisë, ka reaguar edhe Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë. Përmes një deklarate zyrtare të gjitha bashkësitë fetare i bëjnë thirrje politikës shqiptare për dialog dhe vëtëpërmbajtje.

Në të njëjtën deklaratë, KNSH shprehet se kjo situatë po thellon varfërinë e vendit.  KNSH thekson se  kjo situatë po dëmton rëndë imazhin e Shqipërisë në sytë e botës.

Deklaratë për shtyp

Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë (Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë, Kisha Katolike e Shqipërisë, Kryegjyshata Botërore Bektashiane dhe Vëllazëria Ungjillore e Shqipërisë), po ndjekin me shqetësim situatën politike në vendin tonë, e cila ndikon drejtpërsëdrejti në aspektin social, ekonomik dhe në të ardhmen e rinisë sonë, duke krijuar një gjendje të pasigurtë dhe duke cenuar shpresën e një populli të vuajtur, por vital e të fortë përballë sprovave me të cilat është përballur historikisht.
Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë i bën thirrje politikës shqiptare për dialog dhe vetëpërmbajtje, si dhe për zgjidhje të konfliktualitetit të tejzgjatur, i cili po thellon dhe më shume varfërinë e shqiptareve, ikjen e tyre, dobësimin e institucioneve demokratike në vendin tonë, si dhe po dëmton rëndë imazhin e Shqipërisë përpara botës.
Ne të gjithë së bashku, duhet të këmbëngulim fort te virtyti i shpresës, që po plagoset dita ditës, duke i bërë thirrje të gjithë faktorit politik të lërë mënjanë dhunën verbale apo fizike, përçmimin e kundërshtarit politik, e të gjejnë medoemos zgjidhje në dobi të të gjithë shoqërisë shqiptare, të atyre nënave dhe baballarëve fisnikë, që ushqyen brezat me dashurinë e shenjtë për këtë tokë, e sidomos të rinisë sonë, e cila meriton një vend me një të ardhme shpresëplotë.
Lusim Zotin për më shumë dashuri, mirëkuptim e bashkëpunim.
Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe popullin tonë.

Me respekt,
Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë

Tiranë, 27 shkurt 2019

(BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb