Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë ka reaguar për situatën e krijuar në vend dhe protestat e studentëve, duke bërë thirrje për paqe, drejtësi, përgjegjësi institucionale dhe dialog kombëtar.

Në deklaratën e tij, Këshilli thekson se shqetësimet e qytetarëve dhe të studentëve duhet të dëgjohen me seriozitet, ndërsa institucionet duhet të japin përgjigje konkrete, transparente dhe në përputhje me ligjin.

“Paqja është përgjegjësi e përbashkët. Drejtësia është detyrim. Respekti për njeriun është themeli që na bashkon”, thuhet në deklaratë.

Përfaqësuesit e komuniteteve fetare nënvizojnë se e ardhmja e Shqipërisë varet edhe nga mënyra se si shoqëria kujdeset për brezat e rinj, duke theksuar se vendi duhet t’u ofrojë atyre drejtësi, shpresë dhe mundësi për të ardhmen.

Deklarata e plotë:
Paqja është përgjegjësi e përbashkët.
Drejtësia është detyrim. Respekti për njeriun është themeli që na bashkon.
E ardhmja e Shqipërisë është në duart e brezave që po rrisim sot, ndaj kemi detyrimin t’u lëmë një vend ku drejtësia frymëzon shpresë dhe bashkëjetesa bëhet vlerë e trashëguar. Shqetësimet e qytetarëve dhe të studentëve meritojnë të dëgjohen me seriozitet, ndërsa institucionet kanë përgjegjësinë të japin përgjigje konkrete, transparente dhe në përputhje me ligjin. Si përfaqësues të komuniteteve fetare zyrtare në Shqipëri, besojmë se paqja nuk nënkupton heshtje përballë padrejtësisë. Drejtësia nuk mund të ndërtohet përmes dhunës dhe autoriteti nuk mund të ushtrohet pa përgjegjësi.
Traditat tona fetare na bashkojnë në mbrojtjen e jetës, dinjitetit njerëzor, mëshirës, drejtësisë dhe respektit për tjetrin, pavarësisht bindjeve apo qëndrimeve që përfaqësojmë. Këshilli Ndërfetar i kujton se e drejta për të protestuar paqësisht është një vlerë themelore demokratike, ndërsa dhuna, shkatërrimi i pronës dhe cënimi i të drejtave të të tjerëve nuk mund të justifikohen nga asnjë pakënaqësi apo qëllim.
Dëmtimi i një biznesi familjar prek drejtpërdrejtë jetesën e një familje. Cënimi i një institucioni arsimor prek të drejtën për dije dhe siguri. Ndërsa mosrespektimi i një përfaqësie diplomatike dhe i simboleve të saj cënon parimet e respektit të ndërsjellë dhe të bashkëjetesës ndërkombëtare. Mendojmë se në këto momente vendi ka nevojë për më pak akuza dhe më shumë dëgjim, për më pak përplasje dhe më shumë përgjegjësi, për më pak ndarje dhe më shumë dialog. Asnjë palë nuk duhet ta shohë tjetrën si armike, por si pjesë e së njëjtës shoqëri me të drejta, detyrime dhe përgjegjësi të përbashkëta.
Apeli ynë është për të gjithë. Qytetarët të dëgjohen, institucionet të përgjigjen, drejtësia të garantohet, ligji të respektohet dhe paqja të mbrohet.
E ardhmja e Shqipërisë nuk ndërtohet mbi frikën, shkatërrimin dhe përçarjen, por mbi dinjitetin, besimin e ndërsjellë dhe vullnetin për të gjetur zgjidhje paqësore. Me përulësi i drejtohemi të gjithë palëve të zgjedhin dialogun mbi konfliktin dhe përgjegjësinë mbipërshkallëzimin, duke vendosur mbi çdo interes të ngushtë, të mirën e përbashkët, sigurinë e qytetarëve dhe paqen shoqërore. Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë.
Lutemi që Perëndia t’i ndriçojë të gjithë ata që kanë përgjegjësinë e vendimeve, të marrin vendime të urta dhe të pjekura në shërbim të të gjithë vendit, sepse Shqipëria është e të gjithëve. Të gjithë që banojnë këtu janë pjesë e asaj e të gjithë kanë të drejtën për të marrë pjesë në ndërtimin e asaj.
Prandaj dhe i lutemi Zotit që të ndriçojë mendjet për të marrë vendimet e duhura.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb