Forumi i Dialogut Politik organizoi një tryezë me intelektualë, ekspertë dhe aktivistë për problematikat aktuale. Anëtaret e Forumit prezantuan një platformë që mund të shërbejë si një program i përbashkët opozitar, ndërsa më pas diskutimet kaluan te pjesëmarrësit.
Pedagogu dhe analisti Ermal Hasimja ka prezantuar disa prej pikave të platformës, duke folur për situatën politike dhe ekonomike në vend dhe për nevojën, sipas tij, për ndryshime të thella në funksionimin e shtetit.
Hasimja tha se platforma bazohet në dy shtylla kryesore, ndërsa theksoi se zgjidhja e problemeve të vendit nuk duhet të varet nga integriteti apo ndershmëria e një kryeministri të vetëm, por nga ndërtimi i një sistemi që garanton kontrollin dhe balancën mes pushteteve.
“Elementi i parë është korpusi i ideve tona për zgjidhjen e problemeve aktuale që shkojnë përtej ligjërimit normal, ku Rama duhet të ikë sepse është i keq e të vijë dikush tjetër që është i ndershëm dhe i mirë. Ne mendojmë që duhet të ndërtohet një sistem që nuk duhet të varet nga integriteti dhe ndershmëria, nga bixhozi i karakterit të atij që është kryeministër”, u shpreh ai.
Duke folur për rolin e opozitës, Hasimja tha se pjesë e dytë e platformës është politike dhe lidhet me atë që, sipas tij, duhet të bëjë opozita, jo vetëm ajo politike dhe institucionale, por çdo energji opozitare.
“Ka të bëjë me propozimin për atë që duhet të bënte opozita, jo vetëm ajo politike dhe institucionale, por çdo energji opozitare, qoftë edhe në shesh me protestat që shkundën Shqipërinë”, deklaroi Hasimja.
Ai tha se synimi është ndërtimi i një Shqipërie “normale”, ku pushtetet të jenë të ndara dhe të kontrollojnë njëri-tjetrin, ndërsa ekonomia të jetë e pavarur nga politika. Hasimja kritikoi gjithashtu politikat që, sipas tij, cenojnë pronën private, duke përmendur në mënyrë të veçantë “Paketën e Maleve”.
“Po flasim për një Shqipëri normale, jo madhështore apo europiane por normale, që e duan të gjithë. Ky është një vend me pushtet të ndara që kontrollojnë njëri tjetrin, ekonomia nuk është e varur nga politika dhe sipërmarrja private është e lirë dhe e mbrojtur nga arbitraritet, ku ekonomia prodhon dhe nuk kontrollohet nga paratë e drogës.
Ku prona private nuk sulmohet me ligje të qepura me porosi siç është “Paketa e Maleve”. Ku qytetarët nuk i kanë sytë nga emigracioni. Platforma jonë bazohet në: lirimin e shtetit nga partia, ku Rama kontrollon sot të gjitha pushtetet, dhe e dyta është lirimi I ekonomisë nga politika”, tha ai.
Forumi i Dialogut Politik është krijuar në shkurt 2026. Ai ka rreth 25 anëtarë, mes të cilëve edhe emra të njohur si Ermal Hasimja, Altin Gjeta, Redi Ramaj, Artan Gjergji, Mentor Kikia, Juxhina Sotiri, etj.
Qëllimi kryesor i Forumit është të ndihmojë ndryshimin e qeverisjes përmes bashkëpunimit të forcave opozitare, qoftë në kuvend, qoftë në shesh.
