Ndryshimet në ligjin për falimentin nuk janë mirëpritur nga deputetët e mazhorancës dhe opozitës në Komisionin e Ligjeve. Përfaqësuesit e të dyja forcave politike janë në një mendje, se ndryshimet e propozuara nga Ministria e Drejtësisë nuk e justifikojnë qëllimin.

Deputeti i opozitës, Eduard Halimi dhe kryetari i komisionit, socialisti Fatmir Xhafaj thanë se ndryshimet e propozuara nuk e zgjidhin problemin për të cilin ky ligj po hartohet: uljen e kredive të këqija. “Legjislacioni në këtë fushë ka ndryshuar disa herë dhe insistuese kanë qenë po bankat. Situata ka ardhur duke u rënduar. Kush na siguron ne që edhe ky hap i ri në ndryshimin e legjislacionit do të ketë produkt pozitiv?” – tha Xhafaj.

Ndërsa deputeti i Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, kundërshtoi ashpër kufizimin që parashikohet në ligj, që kolaterali në ankand të shitet, duke filluar nga 30% e vlerës së tij, nga 50 që ishte më herët.

“Ju gjithçka e kërkoni që bankat të jenë funksionale, bankat të jenë babai i gjithçkaje, dhe ky qytetari që nuk i ecën biznesi apo për arsye të veta, ju nuk doni t’ia dini fare. Oburra t’i marrim kolateralin. Le të hyjë prapë kredidhënës”, – tha Muhedini.

Por Shoqata e Bankave insistoi se ky ligj zgjidh problemet procedurale dhe shkurton kohën në gjykata për ekzekutimin e vendimeve për sekuestrimin e kolateralit.

“E zgjidh problemin nga ana ligjore e procedurave. E zgjidh problemin nga ana rregullative, që ka të bëjë me Bankën Qendrore. Procedurat të ecin dhe të mos bllokohen. Të mos na marrin tri-katër vite një rast”, – tha përfaqësuesi i Shoqatës së Bankave.

Kundër ligjit të falimentit dhe ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale dhe Kodin Penal në funksion të tij, ishte dhe Dhoma Kombëtare e Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë.

“Konstatojmë se ata do të prodhonin vetëm një efekt, atë të kolapsit të dispozitave ligjore, të cilat me paqartësinë e tyre evidente do të krijonin një kontradiktë penalizuese për të gjitha palët e përfshira në një proces të ekzekutimit përmbarimor”, – u shpreh përfaqësuesi i shoqatës së përmbarimit.

(m.k/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: