Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Petro Koçi, ka komentuar rastin e Belinda Ballukut dhe qëndrimin e ndjekur nga mazhoranca lidhur me kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të saj. I ftuar në emisionin “Minuta e Parë” në News24 me Ola Brukon, Koçi tha se duhet të përcaktohet qartë raporti mes politikës dhe drejtësisë dhe që vendimmarrja të mos varet nga personi për të cilin bëhet fjalë.
“Duhet vendosur raporti mes politikës dhe drejtësisë. Duhet vendosur një standard që nuk duhet interpretuar sipas emrave. Kur drejtësia të kërkon që të heqësh imunitetin e dikujt, duhet ta bësh”, u shpreh Koçi. Ai tha se ka mbajtur qëndrime kritike edhe më herët për Ballukun, por theksoi se këto qëndrime nuk kanë lidhje me ndonjë çështje personale.
“I kam shprehur qëndrimet për zonjën Balluku, se duket sikur e kam personale. Disa e thonë: ‘E hoqën Koçin nga Fieri’, por unë isha në Tiranë”, deklaroi ai. Koçi foli edhe për largimin e tij nga përfaqësimi politik në Fier, duke shpjeguar se mënyra se si ishte ndërtuar skema zgjedhore e kishte bërë të pamundur një përballje të tillë.
“Lufta ime nuk është private. Ndaj nuk e pranova një sfidë të tillë, sepse do të ishte sikur t’i bija murit me kokë”, tha ish-deputeti socialist. Duke iu rikthyer rastit Balluku, Koçi tha se disa nga hapat e ndërmarrë nga kryeministri Edi Rama ndaj saj kanë qenë, sipas tij, të gabuara.
“Hapat që ka marrë Rama ndaj saj ishin të gabuara. Unë nuk jam me kompetencat e pezullimit. Këtu është faji edhe i standardit politik”, u shpreh Koçi. Ai shtoi se, duke pasur parasysh kohën që ka kaluar, organet e drejtësisë tashmë kanë pasur mundësi të sigurojnë provat e nevojshme. Në këtë kontekst, Koçi përmendi edhe rastin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, duke argumentuar se sa më gjatë të zgjasë një masë sigurie, aq më e rëndësishme bëhet çështja e provave nëse personi rikthehet në detyrë.
