Partia Socialiste do të depozitojë sot në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) një kallëzim penal ndaj shtetasve Sali Berisha, Lulzim Basha dhe Ndrea Prendi për kryerjen e veprave penale të “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese” referuar ngjarjes tragjike të 21 Janarit 2011.

Ky fakt u bë i ditur nga sekretari i përgjithshëm i PS-së, Damain Gjiknuri. Ai i bëri thirrje SPAK që të marrë në shqyrtim këtë provë të re dhe të vërë para përgjegjësisë autorët që dhanë urdhrin për vrasjen e 4 qytetarëve.

“Partia Socialiste e Shqipërisë do të depozitojë sot në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) një kallëzim penal ndaj shtetasve Sali Berisha, Lulzim Basha dhe Ndrea Prendi për kryerjen e veprave penale të “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese” referuar ngjarjes tragjike të 21 Janarit 2011. Dialogjet e bëra publike midis ekzekutorëve, e tregojnë qartë se vrasjet u urdhëruan nga lart dhe u përgatitën me një gjakftohtësi kriminale, e cila nuk ka asnjë lidhje me ligjin për Gardën e Republikës! Ne e kemi drejtuar gishtin tek Sali Berisha menjëherë pas ngjarjes tragjike! Nuk besoj të ketë patur qytetar që në mos atë ditë, në ditët, javët e muajt pasues, të mos e ketë kuptuar se urdhëruesit e këtyre vrasjeve ishin Sali Berisha e Lulzim Basha”, tha Gjiknuri.

Numri dy i socialistëve nënvizoi se faktet e reja të bëra publike në media tregojnë qartë se urdhrat për të shtënë me armë zjarri ndaj protestuesve janë dhënë nga funksionarë të lartë shtetërorë.

“Atë që të gjithë e dinim dhe e treguam me gisht, drejtësia e kohës zgjodhi të mos e shikonte, besonte po as dhe ta hetonte! Për fat të keq, edhe drejtësia e re është treguar deri më tani e pafuqishme për të hequr pluhurin e harresës mbi këtë dosje e për të zbardhur plotësisht këtë krim! Prova e re e bërë publike në media nga gazetari Artan Hoxha, përmban të dhëna mbi fakte të reja që nuk i janë nënshtruar ndonjëherë hetimeve e gjykimeve të mëparshme. Në dinamikën e komunikimeve, rezulton qartë se janë dhënë urdhra për të shtënë me armë zjarri ndaj protestuesve, urdhra të cilët nisin nga persona të tjerë, funksionarë të lartë shtetërorë. Nga deklarimet e bëra publike para dhe pas ngjarjes, të të kallëzuarit Sali Berisha, ish-Kryeministër, krijohet bindja përtej çdo dyshimi se ai vet ka qenë në drejtimin e veprimeve të Gardës nëpërmjet komunikimit direkt me të kallëzuarit Lulzim Basha dhe Ndrea Prendi. Provat e reja janë vendimtare tashmë, e të mjaftueshme për të ndryshuar vendimin e Gjykatës së Apelit për Ndrea Prendin pasi nuk kemi të bëjmë me një “Vrasje nga pakujdesia” por me një “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese”. Po sipas këtyre provave, janë krijuar kushtet e mjaftueshme për të regjistruar nga SPAK të një procedimi penal ndaj Sali Berishës dhe Lulzim Bashës për veprimet e kryera në 21 Janar. Partia Socialiste i kërkon Prokurorisë së Posaçme të zhvillojë hetime konkrete, gjithëpërfshirëse ndaj të kallëzuarve si dhe personave të tjerë të përfshirë në vrasjen e katër shtetasve”, shtoi ai.

Gjiknuri i bën thirrje organeve të drejtësisë që t’i shkojnë deri në fund zbardhjes së kësaj ngjarje dhe vendosjes para përgjegjësisë të urdhëruesve të vrasjes së 4 protestuesve të pafajshëm në bulevard.

“SPAK duhet të zbulojë pse Sali Berisha dhe Lulzim Basha ishin në krye të operacionit të Gardës në 21 Janar kur NUK e kanë për detyrë ligjore për të bërë një gjë të tillë!? SPAK duhet të zbulojë se kush ishte autoritet i lartë nga i cili Ndrea Prendi priste dhe mori urdhra!? SPAK duhet të zbulojë kush dhe pse ja nxiu syrin Komandantit të Gardës!?Partia Socialiste e Shqipërisë nuk është pushtet gjyqësor! Qeveria nuk është trupë gjykuese dhe as Kryeministri nuk është prokuror! Për 12 vjet kemi mirëkuptuar këdo, që gishtin e përgjegjësisë për mos zbardhjen e ngjarjes e ka drejtuar edhe tek Partia Socialiste, në kushtet kur drejtësia ka zgjedhur të tallet me drejtësinë ndërsa urdhëruesit dhe vrasësit ia kanë hedhur paq! Ne besuam tek drejtësia e re, ishim nismëtarë dhe garantë të Reformës në Drejtësi, por nuk mund të vazhdojmë të mbajmë mbi kurriz hijen e zhgënjimit të atyre që duan drejtësi për 21 Janarin! Provat e reja janë të mjaftueshme! Të dyshuarit kanë emra dhe mbiemra konkretë! Organet e drejtësisë nuk mund të flenë më mbi këtë dosje gjaku. Duhet vepruar tani, çdo ditë e humbur është vonë. Prandaj i bëjmë thirrje prokurorisë që të marrë në vlerësim të gjithë provat e reja dhe ta çojë deri në fund këtë çështje për interesin publik”, deklaroi Sekretari i Përgjithshëm i PS Damian Gjiknuri.

  • foto galeri
  • foto galeri

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: