Analisti Evarist Beqiri, i ftuar në “Programin e Drekës” në News24, ka folur për vështirësinë e rotacionit të elitave politike në Shqipëri dhe problemet që, sipas tij, lidhen me mungesën e llogaridhënies dhe degradimin e administratës publike. Sipas Beqirit, fenomeni lidhet me faktorë kulturorë, historikë dhe me një traditë të krijuar ndër vite në vend.

Ai theksoi se drejtimi i një vendi është një privilegj që qytetarët ua besojnë politikanëve, por që duhet të kthehet në shërbim cilësor për shoqërinë. Evarist Beqiri tha se ndryshimi nuk mund të vijë vetvetiu dhe se ata që janë komodë me situatën aktuale nuk kanë interes për ta ndryshuar atë. Ai solli si shembull mungesën e investimeve për sigurinë pranë shkollave dhe zonave ku lëvizin fëmijët, duke theksuar se institucionet reagojnë vetëm pas tragjedive.

Në vijim, Beqiri kritikoi edhe gjendjen e administratës publike, duke kujtuar premtimet e mëhershme për reformimin e saj. Sipas analistit, ndryshimi nuk është i pamundur, por kërkon bashkëpunim dhe angazhim të përbashkët nga politika dhe qytetarët.

“Besoj se është kulturor, historik, traditë e krijuar ndër vite në Shqipëri. Ata kanë pasur fatin e madh që të drejtosh një vend dhe shqiptarët iu kanë besuar. Pra ti merr disa privilegje nga ky shërbim, por duhet të përkthehet në shërbim ekselentë për shqiptarët. Ne këtu marrim dhe harrojmë që të kthejmë atë pas. Është produkt i yni. Ndryshimi nuk vjen vetëvetiu dhe nuk ka për të ardhur nga ata që janë komod me situatën. Ne lekë për tendera kemi, por për të marrë masa nuk kemi. Psh për të bërë mbikalime te mjediset kur ka fëmijë. Pse duhet të kujtohemi kur humbasin fëmijët kot. Ai fëmijë mund të jetë dhe të japë nesër një shërbim të jashtëzakonshëm. Ne duhet të dimë që t’u kërkojmë llogarinë këtyre që na qeverisin. Para ca vitesh kryeministri thoshte se do të ndryshonte administratën shqiptare. Po ku është sot administrata sot? Është konsum, degradim. I pari që duhet ta kuptojë këtë është ai që ka për detyrë të qeverisë vendin. Nuk besoj se është e pamundur që të arrihen gjërat, por kërkohet bashkëpunim i të gjithëve. Partitë kanë personalizuar lidershipin këtu. Ne kemi humbur shumë kohë me rrugën drejt BE. Duhet të jemi realistë me sfidat që kemi si komb dhe sfidat drejt BE. Tani nisin sfidat e vërteta drejt BE. Ndryshe ka qenë narrativa para fushatës dhe ndryshe tani. Po humbet shpresa në këtë vend. Si mund të vritet shpresa? Po ikin të rinjtë. Tani ka krizë besimi për lidership të ri, pasi pushteti i kapur”, tha ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: