Xhorxh Rasëll e nisi sezonin 2026 të Formulës 1 me një mesazh të qartë, në stilin e një piloti që gjithmonë ka treguar vendosmëri të fortë në pistë dhe që vetëm në përplasjet e tij me Maks Vershtapenin ka humbur disi kontrollin në të kaluarën. “Kam një mundësi”, deklaronte britaniku.
Dhe këtë e tregoi edhe në pistë me serinë perfekte 37 nga 37 pikë të fituara mes Australisë dhe sprintit të Shangait. Gjithçka dukej se po shkonte drejt një sezoni të madh, por situata ndryshoi plotësisht. Pas tërheqjes në Kanada, ai regjistron tashmë tre gara radhazi pa podium dhe e sheh vetën në 43 pikë diferencë nga Andrea Kimi Antoneli në renditje. Për hir të së vërtetës, Rasëll nuk gaboi në garë, pasi bateria e Mercedesit dështoi dhe britaniku u detyrua të ngadalësonte menjëherë.
Ishte një problem mekanik fatal, por besueshmëria teknike është një faktor që prek edhe makinat më konkurruese të “paddock”-ut. Në kampionat ai humbi avantazhin që kishte krijuar me fitoren në sprint dhe tani gjendet 43 pikë pas Antonelit, një diferencë aspak e vogël. Vetëm dy herë në historinë e Formulës 1 është përmbysur një hendek i tillë, nga Vershtapen ndaj Lëklerkut në vitin 2022 dhe nga Fetel ndaj Alonsos në vitin 2012. Megjithatë, presioni ekziston dhe tashmë është total. Antoneli e ushtroi atë gjatë sprintit me tentativat e tij sulmuese. Në garë e përsëriti të njëjtën gjë dhe e çoi Rasëllin drejt gabimeve, sidomos në menaxhimin e gomave. Britaniku e shfaqi qartë frustrimin e tij pas tërheqjes, në një moment që i kushtoi shtrenjtë. I zemëruar, ai hodhi në tokë mbështetësen e kokës së makinës dhe për këtë mori një ndëshkim, pasi do të duhet të paguajë 5 mijë euro gjobë.
FRUSTRIMI – Rasëll, në fakt, nuk e fsheh zhgënjimin e tij. Edhe kjo është pjesë e sportit. “Kërkoj falje ndaj FIA-s dhe komisarëve që ua bëra punën më të vështirë seç duhej”, shkroi ai në rrjetin “X”, duke mos i mohuar emocionet e momentit. “Isha shumë i ngarkuar emocionalisht në atë çast”, shtoi piloti britanik. Pas zbritjes nga makina u pa i ulur pranë barrierave me një vështrim të humbur, ndërsa më pas ecte i vetmuar në “paddock”-un e Kanadasë.
Diskursi i tij mbetet po ashtu pesimist. Diçka surprizuese duke parë se Mercedesi duket një makinë jashtëzakonisht konkurruese dhe se Antoneli ende nuk është përballur plotësisht me presionin e madh të luftës për titull. Por, Rusëll vazhdon të jetë i drejtpërdrejtë, ndoshta edhe më shumë seç duhet. “Nuk ndiej dhe nuk do të ndiej presion. Dua vetëm të shijoj garat”, deklaroi ai, ndërsa më pas dha një mesazh të fortë për Botërorin: “Në këtë moment, titullin mund ta humbasë vetëm Antoneli. Sinqerisht, duket sikur perënditë nuk më duan në këtë betejë”, u shpreh Rasëll, ndoshta duke u treguar tepër i sinqertë
