Lionel Scaloni, trajneri kampion me Argjentinën, ka trazuar ujërat pas deklaratës së fundit. “Të stërvis kombëtaren e Spanjës? Pse jo? Më ka dhënë kaq shumë dhe është shtëpia ime e dytë. Çdo argjentinas do të thoshte të njëjtën gjë, sepse na trajtojnë jashtëzakonisht mirë. Ndihem pjesë e këtij vendi, por Spanja është mirë të ketë trajnerë spanjollë”.

Kështu u shpreh trajneri Scaloni, i cili me shumë mundësi do të vijojë të drejtojë Argjentinën, por rinovimi ende nuk ka ardhur dhe këtë deklaratë të fundit të tij e kanë quajtur provokim pikërisht për këtë arsye, për të nxitur presidentin e federatës albiçeleste të përpilojë sa më shpejt kontratën e re, e cila përfitet të jetë deri në vitin 2026 me kushte page të përmirësuara ndjeshëm pas triumfit në Katar 2022.

Scaloni shprehu edhe mendimin e tij për preferencat personale mes Diego Armando Maradonës dhe Leo Messit, dy lojtarët më të rëndësishëm në historinë e Argjentinës: “Nëse më duhet të qëndroj me njërin, unë zgjedh Leon, me të cilin kam diçka të veçantë. Ai është më i miri në histori, edhe nëse Maradona ishte gjithashtu i mrekullueshëm.

Të stërvitësh Messin nuk është e vështirë. Në nivel teknik, ai nuk mund të korrigjohet, por nëse ndonjëherë ka presion ose një mënyrë sulmi, duhet ndihmuar” – përfundoi Scaloni intervistën e tij dhënë për spanjollen Cadena Cope.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb