TIRANE- Pozitat e Haki Çakos brenda Policisë së Shtetit u lëkundën pasi ra Saimir Tahiri. Dukej se ministri i ri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj nuk e kishte me sy të mirë kryepolicin Çako. Burime të “BalkanWeb” pranë ministrisë thonë se mes tyre madje nuk ka pasur as komunikim, aq sa Xhafaj i shmangte daljet e Çakos edhe në konferenca.

Por, pozitat e këtij të fundit më shumë se sa mospëlqimet e ministrit i kanë dobësuar skandalet që kanë shoqëruar uniformat blu gjatë qëndrimit të tij në krye policisë së shtetit.

Furtuna dhe akuza u ngritën mbi Çakon pas skandalit të përgjimeve të trafikantëve Habilaj ku u përfshi edhe ish-ministri Tahiri. Zërat u shtuan se dhe vetë ai ishte i përfshirë në trafik, përmes shefave të policisë të graduar nga vetë ai, shkarkimin e të cilëve nuk e kërkoi kurrë, ndonëse pati edhe denoncime.

Opozita, PD dhe LSI e pagëzuan asokohe me nofkën “Haki droga”, duke e akuzuar për lidhje me trafikantët kryesisht në jug të vendit, por Çakon se preku askush. Ditë pas dite flitej për një kryepolic “kukull” që i bindej verbërisht urdhrave të ministrit, që nuk reagonte pas raporteve të SHISH dhe që ndërpreu bashkëpunimin me prokurorinë.

Imazhi i burrit babaxhan që arriti sukses në Lazarat kishte filluar të shuhej dalëngadalë. Çako shihej si njeriu që nuk kishte ndaluar kanabizimin e Shqipërisë. Ai dyshohet edhe për dhënien abuzive të gradave, por edhe për fshehjet e urdhërarreseve si në rastin e Dritan Xhindolit.

KUSH ESHTE HAKI CAKO
Kujtojmë se ai erdhi në krye të Policisë së Shtetit pas dorëheqjes së Artan Didit, i akuzuar se fshehu një urdhërarrest të ardhur nga Belgjika për deputetin Mark Frroku. Me të marrë detyrën ai u kthye në një nga njerëzit më të besuar të ish-minsitrit të Brendshëm Saimir Tahiri.
Ndonëse një vit pasi mori detyrën edhe ndaj tij Prokuroria nisi të hetim për skandalin e përgjimeve Çako nuk ndoqi shembullin e Didit,

Karriera e tij nis në vitin 1998 kur emërohet shef i Policisë Kriminale në Komisariatin e Policisë së Kuçovës ku qëndroi vetëm 8 muaj pasi në shtator të 98-ës emërohet shef i Policisë Kriminale të Komisariatit numër 1, në Tiranë. Më pas u emërua inspektor kundër akteve Terroriste dhe në vitin 2003 mbajti detyrën e specialistit në Zyrën e Luftës kundër Drogave të Forta dhe më pas shef i Komisariatit të Policisë Vlorë. Në vitin 2006 u emërua specialist i Antiterrorit në Elbasan, për t’u larguar më pas me dëshirën e tij për të qëndruar 4 vjet jashtë policisë së shtetit.

Pas disa vitesh si specialist, në tetor 2013 deri në shtator 2014 qëndroi si drejtor i policisë së Gjirokastrës. Më pas shkon zv.drejtor i Përgjithshëm për Krimin e Organizuar dhe Krimet e Rënda, detyrë që e mbajti deri në 15 prill të 2015 kur u gradua Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.
(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb