Analisti Fatos Lubonja tha në emisionin “Real Story” të gazetarit Sokol Balla, në News24, se Lëvizja Vetëvendosja e Albin Kurtit ka mbështetje të madhe për të negociuar me serbët.
Sipas Lubonjës, rreziku i ndryshimit të kufijve, që e bënte shumë të vështirë çështjen, tani është hequr, ndaj dhe zgjidhja është më e lehtë.
“Vetëvendosja ka mbështetje më të madhe për të negociuar me serbët pa qenë rreziku i kufijve, që e bënte shumë të vështirë çështjen. Mendoj se duhet të ketë dialog, të gjitha problemet duhen zgjidhur. Sa kohë që hiqet rreziku i ndryshimit të kufijve, mendoj se është më e lehtë zgjidhja. Neve na duhet një Evropë sociale, por mendoj se një rrezik që kanë këta është të përshpejtojnë procesin e bashkimit. Pra, frymën nacionaliste, se këta kanë një frymë nacionaliste dhe një frymë të majtë. Duhet ndërtuar një shtet i mirë”, tha Lubonja.
Më tej, analisti Lubonja u shpreh se “Të gjitha ndryshimet e rëndësishme kanë ndodhur o me luftë, o me ndikim nga fuqitë e mëdha. Ne nuk jemi të zotë për luftë. Unë nuk e shoh sot Evropën të gatshme të të lejojë për të marrë hapa të mëdha. E rëndësishme është për mua që këta të punojnë, që kosovarët të kenë më shumë liri, dinjitet, mirëqenie, dhe kjo të na ndikojë edhe neve në Shqipëri”.
(BalkanWeb)
