Është kthyer për të fuqizuar gratë, dhe ajo e quan fuqizim përmes mendjes. Pas suksesit që pati me librin “Mos e Lër Mendjen të Ikë”, Mirela Sula duket se e ka kthyer këtë në formulën e karrierës së saj që i ka hapur dyert në mbarë botën. Të enjten, më datë 17 nëntor, ajo organizon seminarin me këtë temë dhe ka mbledhur gra nga të gjitha fushat dhe të gjitha ecjet e jetës, për të sjellë një ditë të veçantë plot frymëzim, në një realitet si ky i yni që ka nevojë më shumë se kurrë për pak shpresë gruaje.

“Në dy vitet e fundit më ka udhëhequr një thirrje e vazhdueshme, duke organizuar evente të ndryshme për fuqizimin e gruas, dhe një ditë isha e ftuar në emisionin më të famshëm radiofonik në botë dedikuar grave “Ora e Gruas”, në ‘BBC Radio’. Kur prezantuesja më pyeti ‘Pse nuk shkon t’i bësh këto seminare në vendin tënd?’, gati u stepa. Sigurisht, iu përgjigja në mënyrën time më të mirë, por pastaj reflektova dhe thashë: ‘Ndoshta ka të drejtë; ka ardhur koha që të kthehem dhe ta zhvilloj këtë koncept edhe në Shqipëri'”, – është shprehur ajo për “GSH”. Dhe, dëshira më e madhe që ajo ka rreth këtij eventi që do të organizohet nesër është të përfshirë sa më shumë gra që kanë një vizion, kanë një pasion dhe besojnë në potencialet e tyre.
Mirela Sula aktualisht jeton e punon në Londër dhe njëkohësisht ndjek studimet e doktoraturës në Psikologji në Universitetin Regents. Para se të vinte në Londër, Mirela ka punuar si lektore e psikologjisë në Universitetin e Tiranës. Gjithashtu ka koordinuar “Rrjetin e Grave për Barazi në Vendimmarrje” dhe ka drejtuar “Qendrën Shqiptare të Psikoterapisë Pozitive”. Mirela njëkohësisht ka drejtuar Revisten “Psikologjia” dhe “Psikostil”. “Mos e Lër
Mendjen të Ikë” është botuar gjithashtu në Amerikë dhe Turqi. Mirela është sipërmarrëse e tri organizatave uksesshme në Londër: “Albanian Woman”, “Migrant Woman” dhe “Global Woman” dhe është ftuar në mbarë botën si lektore për të folur në konferenca të ndryshme. Në 2015, Mirela është zgjedhur si “Gruaja Frymëzuese e Vitit” në
Angli dhe në 2014 është zgjedhur si një ndër dhjetë gratë lidere në botë nga ICSB. Aktiviteti i Mirelës është pasqyruar edhe në disa media të mëdha britanike si BBC Radio Women’s Hour; London Live, Evening Standard, Chrissy B Show – Sky TV.
(Vip Pages/Gazeta Shqiptare)
